Edhe pse në një moshë relativisht të re ish Presidenti i Republikës, i ndjeri Bujar Nishani, provoi detyra të rëndësishme politike të cilat i aspiron çdo njeri që i përvishet politikës, por në fakt pak janë ata që ia arrijnë. Vdekja e tij nxiti një debat shterp mes muslimanëve që në vend të kësaj do të duhej të ishin të parët që për vaki të solidarizohen dhe përcjellin ngushëllime ndërsa për gëzim të urojnë, gjë të cilën jua sugjeron qartë metodologjia profetike.
Vdekja e ish presidentit Bujar Nishani vlen si përkujtim dhe mësim për ata që ende marrin frymë, dhe krahas ngushëllimeve ata do të duhet të perpiqen t’i tregojnë shoqërisë se si vdekja është një fenomen i paracaktuar prej Zotit që shoqëron jetën dhe i jep kuptim asaj. Zoti krijoi jetën edhe vdekjen, madje vdekja e paraprin jetën për të treguar se kjo e fundit është një dhuratë e çmuar nga Zoti për njeriun, dhe një shans për ta njohur Atë dhe përmbushur misionin në këtë jetë. “Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!”.
Ndarja nga jeta e të ndjerit z. Nishani duhet të shërbente si një mesazh dërguar shoqërisë, dhe veçanërisht atyre që kanë guxim të tepruar për të shprehur haptazi refuzimin e tyre ndaj Zotit që veç jetës krijon edhe vdekje, e cila shfaqet herë pas here si një përkujtim se njeriu është i pafuqishëm, ka limite dhe nuk i përket kësaj bote. Pra ajo nuk ka veç funksion por edhe kuptim. Vdekja i jep fund jetës për t’i dhënë jetë një jete të re, jetës së vërtetë në Botën Tjetër, jetës së përjetësisë, në të cilën do të lajnë hesapet mizorët dhe të shtypurit, persekutorët dhe të vuajturit, mirënjohësit dhe mosmirënjohësit.
Besimtarët duke qenë se besojnë Botën Tjetër, duhet të jenë zot të kësaj pune, duhet të japin shpjegimet e tyre për vdekjen dhe ta mbushin me kuptim për t’i dhënë një shans edhe atyre që janë të zbaruzur prej kuptimeve. Shoqëria ka si tendencë ta zhveshë çdo gjë prej kuptimeve, sepse ato interferojnë me dëshirat e tyre dhe i vënë ata para përgjegjësisë, vdekja është vërtetë një ngjarje e jashtëzakonshme sepse ajo një herë i ndodh njeriut, por ka kuptim.
Le të mendojmë për një çast sikur të mos vdesnim kurrë, sa e tmerrshme do të ishte një gjë e tillë. Mitrush Kuteli në veprën e tij “E madhe është gjëma e mëkatit” që konsiderohet një nga kryeveprat e Letërsisë Shqipe, tregon se si Tat Tanushi, një prift Ilir, i pikëlluar pas vdekjes së të dashurës së Tij Kalija, një vajzë hebreje të cilën e kishte sjellë me vete në Apolloni, largohet nga Perëndia dhe bie në mëkat. I papastër siç ishte pas mëkatit, vendos të kthehet në Kishë për Meshë, por Zoti ia ndalon, duke i kujtuar se është i “Papastër”. Ai këmbëngul, dhe kundërshton Zotin, dhe si pasojë merr një mallkim të paimagjinueshëm, Zoti e dënon duke e bërë të pavdekshëm. Pra Zoti e mallkoi atë duke e ndëshkuar me mosvdekje.
Ne e mendojmë vdekjen si të keqen më të madhe, si dënimin maksimal, të cilit mundohemi t’i ikim me çdo kusht. Ndërsa për Tat Tanushin, mohimi i vdekjes qe një dënim i mundimshëm. Edhe vdekja pra, ka vendin e vet, ka kohën e saj dhe duhet të vijë për secilin prej nesh. Të shohë mbretëri që ngrihen e bien, të dashurit që plaken e vdesin, ikin dhe e lënë pas, kohërat që ndryshojnë, pushtimet, katastrofat, pyjet që kthehen në qytete e qytetet që mbulohen nga ferrat është dënimi i Tat Tanushit. Qindra vjet kalojnë, ai përpiqet në çdo mënyrë, por vdekja nuk vjen ta marrë. Vuajtja e tij është mësimi për ne. Vdekja nuk është mbarimi i jetës, është pjesë e saj. Koha e kufizuar i jep trajtën jetës së njeriut. Pa vdekjen, nuk ka më etapa, nuk ka fund, e nuk ka më as kuptim në gjërat që bëjmë dhe atyre që lëmë pa bërë.
Vërtet vdekja i vë kufij jetës por i jep kuptim asaj dhe shpresë. Bregu i detit për një njeri të gjendur në mes të tij për ditë me radhë është shpresë për jetën edhe pse ai shënon fundin e tij.
Profeti i nxiste shokët e vet ta kujtonin vdekjen, sepse ajo i prish njeriut lezetet siç e quan ai në një hadith, sepse ajo i kujton vazhdimisht njeriut se ai nuk i përket kësaj bote, kështu që do të duhet të tregohet gjithmonë i kujdesshëm me sjelljen dhe dëshirat, qoftë në marrëdhënie me njerëzit qoftë në marrëdhënie me Zotin.
Vdekja e ish Presidentit të Republikës duhet të shërbejë si një mesazh për njerëzit e rëndësishëm të shoqërisë, sepse çfarëdo që arrin njeriu në këtë jetë, sado e madhe të jetë fama dhe pushteti i tij, një ditë do të largohet nga kjo jetë dhe do të kujtohet sikur të mos ketë qenë kurrë mes nesh. Mbi të gjitha vdekja e tij duhet të shërbejë si një mesazh për Muçët e Shqipërisë të cilët marrin ende frymë dhe kanë mundësi të pendohen dhe përmirësojnë marrëdhënien e tyre me Zotin./elbasaniplus/
Nje koment
Pingback: 3although