Nga Dr. Arben Ramkaj: Drejt një nisme globale për të luftuar islamofobinë dhe antisemitizmin

Është nder i veçantë të qëndroj sot para jush në Forumin e Dohas 25 për të trajtuar një nga çështjet më të rëndësishme të botës moderne: domosdoshmërinë e njohjes së islamofobisë si kërcënim global dhe nevojën që ajo të trajtohet brenda një kornize të përbashkët ndërkombëtare, njësoj si përpjekjet e konsoliduara që komuniteti ndërkombëtar ka ndërmarrë prej vitesh në luftën kundër antisemitizmit. Kjo çështje nuk është më një debat teorik; është realitet i prekshëm që ndikon jetën e miliona njerëzve dhe arkitekturën e paqes ndërkombëtare.

Të dhënat ndërkombëtare tregojnë qartë se islamofobia është shndërruar në një fenomen në rritje, i cili po ndikon thellë në marrëdhëniet shoqërore dhe në stabilitetin global. Miliona myslimanë përballen çdo ditë me forma të ndryshme të nxitjes së urrejtjes dhe diskriminimit, ndërsa raportet e viteve të fundit tregojnë rritje të ndjeshme të krimeve të urrejtjes në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Gratë myslimane, veçanërisht ato me hixhab, janë shpesh ndër më të shënjestruarat. Po ashtu, përmbajtja armiqësore në hapësirat digjitale është shtuar në mënyrë alarmante, duke ushqyer një narrativë të rrezikshme që zhvlerëson dhe demonizon myslimanët. Këto fakte tregojnë se po përballemi me një sfidë që nuk njeh kufij dhe që kërkon një përgjigje të përbashkët globale.

Një pjesë e kësaj klime të rënduar ushqehet gjithashtu nga retorika e disa politikanëve ekstremistë në vende të ndryshme. Në përpjekje për të fituar terren politik ose për të forcuar mbështetjen e tyre të brendshme, ata shfrytëzojnë frikën, paragjykimet dhe stereotipet fetare si mjete komunikimi. Edhe pse shpesh nuk përfaqësojnë shumicën, zërat e tyre polarizues krijojnë perceptime të shtrembëruara ndaj komuniteteve fetare dhe rëndojnë klimën shoqërore. Këto deklarata nuk mbeten vetëm brenda diskursit politik; ato ndikojnë në sjelljen publike, nxisin mosbesim dhe krijojnë terren për gjuhë përçmuese dhe përjashtuese.

Në këtë realitet të ndërlikuar, është e domosdoshme të reflektojmë edhe mbi kontekstin e vendit nga vij unë nga Shqioëria. Edhe në Shqipëri, herë pas here, disa zëra të njohur – shkrimtarë, intelektualë dhe figura mediatike – shprehen në mënyra që prekin ndjeshmërinë fetare të njerëzve. Ndonjëherë kjo vjen nga pakujdesia, ndonjëherë nga keqkuptimi, por herë edhe nga raste të mirë-menduara, të artikuluara me vetëdijen se fjala e tyre ka peshë dhe ndikim të gjerë. Një koment i hedhur lehtë, një shaka e pavend apo një qëndrim i formuluar qëllimisht mund të krijojë lëndim, nënvlerësim dhe ndarje. Nuk besoj se këto zëra vijnë gjithmonë nga keqdashja; shpesh janë mungesë kujdesi. Por pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që kush ka ndikim publik të tregojë maturi dhe përgjegjësi, jo për të kufizuar mendimin, por për të ruajtur harmoninë shoqërore dhe respektin e ndërsjellë.Këto zëra kan ndikuar te ketë një qasje negative dhe urrejtjeje kundrejt praktikantëve fetare në vendin tim.

Dua të theksoj se liria e shprehjes është një vlerë themelore, por ajo nuk mund të kthehet në mjet për të poshtëruar të tjerët apo për të nxitur urrejtje. Shoqëritë e qytetëruara bëjnë dallimin midis kritikës së ligjshme dhe fjalës që shndërrohet në instrument përçarës.

Po ju sjell në vemendje se si bota ka arritur të ndërtojë një model të qartë ndërkombëtar në luftën kundër antisemitizmit, dhe ky model duhet të shërbejë si shembull edhe në trajtimin e islamofobisë. Rezoluta e Kombeve të Bashkuara e vitit 2005, A/RES/60/7, dënoi qartë antisemitizmin, vendosi detyrime ndërkombëtare për mbrojtjen e komuniteteve hebraike dhe shpalli 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit. Ndërkohë, rezoluta A/RES/76/254 e vitit 2022 njohu për herë të parë islamofobinë si fenomen global dhe shpalli 15 marsin Ditën Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë. Vendosja e këtyre dy dokumenteve në të njëjtin kornizim tregon qartë nevojën për një qasje të barabartë, koherente dhe parimore ndaj të gjitha formave të urrejtjes fetare.

Nëse synojmë të ndërtojmë një mekanizëm global që mbron besimtarët dhe komunitetet fetare, atëherë është e domosdoshme krijimi i një platforme të përbashkët ndërkombëtare që monitoron krimet e urrejtjes, definon qartë fenomenet diskriminuese, forcon kuadrin ligjor dhe ndërton programe edukimi që çrrënjosin stereotipet. Kjo nismë nuk është luks diplomatik; është kërkesë urgjente e kohës sonë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj, mesazhi që na bashkon sot është i qartë: antisemitizmi është i papranueshëm, islamofobia është e papranueshme, përçmimi i feve është i papranueshëm dhe nxitja e urrejtjes ndaj besimtarëve është po aq e papranueshme. Dinjiteti njerëzor është i përbashkët, i pandashëm dhe s’duhet kurrë të vihet në diskutim.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës të kësaj tryeze,

Me shumë respekt dua të nënvizoj se sfidat për të cilat po flasim i përkasin të gjithëve. Ato prekin jetën, sigurinë dhe dinjitetin e njerëzve në çdo komunitet, prandaj kërkojnë një përgjigje të përbashkët, të matur dhe të qëndrueshme. Unë nuk vij këtu me pretendime, por secili prej nesh sjell një përvojë të vlefshme dhe një përgjegjësi të përbashkët. Le të vazhdojmë dialogun, të ndërtojmë besim dhe të forcojmë bashkëpunimin me frymë mirëkuptimi dhe humanizmi. Shpresoj që diskutimi ynë i sotëm të jetë një hap i vogël, por domethënës drejt një bote më të drejtë dhe më të paqtë për të gjithë.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju.