Nga banakierja e Don Boskos te kamarieri i Memaliajt dhe kalimtarja në Shkodër, atentatet kriminale që tronditën vendin

Krimi i organizuar në Shqipëri ka shkaktuar një sërë ngjarjesh tragjike, duke marrë jetë të pafajshme që nuk kishin asnjë lidhje me aktivitetet kriminale.

Një atentat mafioz në fshatin Dobraç të Shkodrës rezultoi me vdekjen e 56-vjeçares Flutra Basha, nënë e tre fëmijëve. Flutra Basha humbi jetën pasi një automjet i bërë “shoshë” nga plumbat doli jashtë kontrollit dhe goditi motorin ku udhëtonte ajo së bashku me bashkëshortin. Goditja rezultoi fatale për gruan, ndërsa burri i saj, Bashkim Basha përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Flutra Basha, bashkë me bashkëshortin e saj, u gjend në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.

Edhe pse ishin pak metra larg shtëpisë së tyre, dhe duke u kthyer nga puna, ata nuk mundën t’i shpëtojnë kësaj masakre që në shënjestër duket se kishte Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, të dy të vdekur dhe të njohur nga policia e krimi.

Por kjo ngjarje që tregon se si krimi i organizuar nuk bën dallime dhe se jetët e pafajshme janë në rrezik në çdo moment, nuk është e vetmja.

Më 21 korrik 2024, në një lokal në Memaliaj, dy persona të pafajshëm, Gledio Muka (kamarier) dhe Marsel Çela (klient), humbën jetën në një atentat që kishte shënjestër babain e Andrea Kalemit, një emër i njohur i policisë dhe që i ka shpëtuar disa atentateve.

Edhe në mars 2023, një grua e pafajshme u vra në vendin e punës nga plumbat që vërshuan drejt një lokali në pronësi të vëllezërve Murati. Si pasojë e plumbave humbi jetën banakierja 58 vjeçare Mimoza Paja, e cila punonte 16 orë në ditë. Në një nga tavolinat e lokalit ishte mbesa e saj e cila nuk mund të qëndronte vetëm në shtëpi. Ulej e priste gjyshen derisa të mbaronte punën.

Një tjetër rast i njohur është ai i Erion Çelës, 35 vjeç, i cili u vra gabimisht më 4 janar 2022 në një lokal në Don Bosko. Shënjestër e atentatit ishte Geron Hasanbelliu. Autorët ngatërruan objektivin.

Ndërkohë që një nga rastet më të trishta është ai i Myzerim Zenelit, një 20-vjeçar që humbi jetën në ditën e tij të parë të punës në Velipojë, pas një sherri për shezlongë. Ai u vra më 26 qershor 2021 pak ditë pasi kishte mbaruar gjimnazin dhe kishte festuar maturën me shokët dhe shoqet e tij. Nëna e tij punonte në morgun e qytetit dhe nuk e kishte menduar kurrë se atë ditë do i çonin trupin e pajetë të djalit të saj.

Këta qytetarë nuk janë vrarë për hakmarrje, as për borxhe e larje hesapesh, por padrejtësisht nga dora e krimit të organizuar që nuk kursen askënd që i del para dhe nuk mendon për pasojat. Rritja e krimit të organizuar dhe dhunës pa kriter të tyre është një problem që kërkon një përgjigje të vendosur dhe efektive nga institucionet përkatëse pasi mungesa e sigurisë sa vjen e theksohet, ndërsa jeta humb vlerën e saj.