Nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët sot në Tiranë nga ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku dhe sekretari parlamentar i shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, Oliver Luksic, i hap rrugën njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve. Rregullat e reja hyjnë në fuqi në 1 qershor të këtij viti.
Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku në fjalën e saj theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, jo vetëm për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani, por edhe për ata që do të vizitojnë këtë shtet.
Ministrja Balluku bëri të ditur se arritja e kësaj marrëveshjeje është edhe një certifikim i një standardi që sipas saj, tashmë është arritur dhe është në përputhje të plotë me standardet e BE-së.
“Për një vend që prej kohësh aspiron anëtarësimin në BE dhe hap pas hapi po rrit masat e përpjekjet për të arritur këtë qëllim, ky certifikim është shpresëdhënës për të ardhmen e Shqipërisë së pjesëtare e Unionit”, tha Balluku.
Ajo theksoi se është dashur shumë punë dhe përpjekje serioze për të reformuar sektorin e transportit duke e sjellë atë në përputhje të plotë me direktivat e BE-së.
“Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe modelit dhe prodhimit të lejes së drejtimit shqiptare me elementë të lartë sigurie për të qenë në përputhje me të gjithë elementët e sigurisë që kërkohen nga partnerët europian”, shtoi ministrja.
Balluku vuri në dukje edhe punën e bërë për përmirësimin e shërbimit për qytetarët përmes digjitalizimit.
“DPSHTRR mban flamurin dhe është pioniere e shërbimeve online. Një punë e madhe është bërë edhe sa i takon përmirësimit të infrastrukturës e mësimdhënies për pajisjen e e kandidatëve me leje drejtimi, kualifikimin e instruktorëve të autoshkollave, si dhe specialistëve të DPSHTRR-së. Këto masa kanë ndikuar në rritjen e besueshmërisë së lejes së drejtimit shqiptare, uljen e aksidenteve rrugore dhe përmirësimin e sjelljes dhe mënyrës së drejtimit të mjeteve nga drejtuesit. Për vitin 2021, krahasuar me vitin 2018, kemi 19.9 % më pak aksidente rrugore dhe 14.8 % aksidente shkaktuar nga sjellja e drejtuesve të mjeteve, domethënë ulje me 43 % e probabilitetit që një drejtues mjeti i sapo patentuar të përfshihet në aksident rrugor”, deklaroi Balluku.
Balluku tha se viti 2020 shënoi edhe revolucionin digjital të testimit teorik dhe praktik, teksa shtoi se sot për Tiranën duhen vetëm 30 minuta për të lëshuar një leje drejtimi, kur vetëm pak vite më parë duheshin disa javë.
Ministrja vuri në dukje se Gjermania nuk është vendi i vetëm që ka njohur dhe vlerësuar progresin e Shqipërisë në këtë sektor. Aktualisht Shqipëria ka lidhur marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjellë dhe konvertimin e lejes së drejtimit me Greqinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë dhe Emiratet e Bashkuara. Po ashtu, ajo informoi se janë në proces marrëveshjet me Spanjën, Bosnjë-Hercegovinën, Turqinë dhe Arabinë Saudite.
Sipas saj, Belgjika, Rumania, Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Austria e njohin dhe konvertojnë lejen e drejtimit shqiptar pa marrëveshje.
“Gjatë harkut 2019-2021 më shumë se 15 mijë shtetas shqiptarë kanë konvertuar lejet e drejtimit në shtetet ku ata punojnë dhe jetojnë, falë këtyre marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria shqiptare me vendet partnere”, bëri të ditur Balluku.
Sekretari parlamentar i shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, Oliver Luksic deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit përbën një hap para të Shqipërisë drejt integrimit europian.
“Njohja e lejeve të drejtimit përbën një kontribut të rëndësishëm në përafrimin e dy vendeve tona dhe një sinjal të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë në Gjermani, që të mund të lëvizin lirshëm. Dimensioni më i rëndësishëm mendoj është ai europian, përbën një sinjal të rëndësishëm për përafrimin jo vetëm me Gjermaninë, por edhe Europën.
Duhet konsideruar një hap i vogël në drejtim të Europës. Kjo është një marrëveshje në raport win-win, sepse ne kemi mangësi të theksuara të fuqisë punëtore të kualifikuar, ndaj dhe kjo marrëveshje do të kontribuojë edhe në mënjanimin e kësaj problematike, pra do të përmirësojë edhe situatën e emigracionit dhe integrimit të punonjësve të huaj të kualifikuar në vend”, tha Luksic.
Ai bëri të ditur se me qeverinë shqiptare janë edhe një sërë fushash të tjera në të cilat po bashkëpunohet.
“Kemi një bashkëpunim të mirë për sa i përket planifikimit të transportit, janë duke u zhvilluar një sërë projektesh të rëndësishme nga KfW, e cila bashkëpunon mjaft mirë me administratën publike lokale. Shpresoj në të ardhmen të kemi sfera të tjera bashkëpunimi. Kjo i hap rrugën edhe të tjera projekteve të bashkëpunimit sa i përket sigurisë rrugore. Po ashtu një tjetër temë ishte edhe ajo e shkëmbimit të të dhënave në kontekstin e kuadrit rregullator europian dhe gjerman. Këtu kemi peshuar mundësi të tjera bashkëpunimi. Dita e sotme ishte një ditë e mirë për të ardhmen e Europiane të Shqipërisë“, deklaroi ai.
Zotëruesit e një lejeje drejtimi të kategorive A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2, D, D1, D2 (motoçikletë, veturë, kamion dhe autobus), të lëshuara pas datës 24 janar 2017, mund të bëjnë konvertimin pa qenë nevoja e një provimi të ri.
Kjo vlen për shtetas me rezidencë në Gjermani (qëndrimi në Gjermani për të paktën 185 ditë në vit).
Përmes kësaj marrëveshjeje për bashkëqytetarët shqiptarë në Gjermani krijohet mundësia e një aksesi të sigurt ligjor në tregun e punës, për të cilin shpesh leja e drejtimit të automjeteve është kriter i rëndësishëm.
Për Gjermaninë kjo njohje përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në mënjanimin e mungesave të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Me një ndryshim të fundit ligjor (rregullorja e 15-të për ndryshimin e rregullores së lejeve të drejtimit (FeV) dhe rregullave të tjera të qarkullimit rrugor), tashmë qytetarëve shqiptare u hapet rruga për të konvertuar në të ardhmen në leje gjermane drejtimi, pa pasur nevojë për test, lejet shqiptare të klasave A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2 D, D1, D2 (motoçikletë, veturë, kamion dhe autobus), dhe të klasës AM pas kalimit të një testi praktik.
Rregullat për konvertimin e lejeve të drejtimit nga Republika e Shqipërisë hyjnë në fuqi më 1 qershor 2022. Megjithatë, landeve federale përgjegjëse për zbatimin e rregulloreve për lejet e drejtimit u është rekomanduar që të fillojnë që tani të veprojnë në përputhje me këto rregulla. Përgjegjëse për konvertimin janë autoritetet e lejeve të drejtimit në vendbanimin e aplikuesve.
Rregullorja e re vlen për zotëruesit e një lejeje drejtimi të lëshuar pas datës 24.01.2017 nga autoritetet përgjegjëse në Shqipëri, të cilët janë me vendbanim në Gjermani (qëndrim prej jo më pak se 185 ditë në vit); zotëruesit e një lejeje qëndrimi të lëshuar para datës 24.01.2017 nga autoritetet përgjegjëse në Shqipëri, me vendbanim në Gjermani para datës 24.01.2017, mund të kërkojnë informacion nëpërmjet Zyrës Federale për Mjetet e Transportit (KBA) nga autoriteti përgjegjës në Shqipëri në lidhje me posedimin dhe vlefshmërinë e lejes së drejtimit; zotëruesit e një lejeje qëndrimi të lëshuar nga autoritetet përgjegjëse në Republikën Federale të Gjermanisë, të cilët janë me vendbanim në Republikën e Shqipërisë (qëndrim prej jo më pak se 185 ditë për vit kalendarik).