Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, mirëpriti propozimin e Bashkisë Elbasan dhe Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë për të zhvilluar në ambientet e këtij Universiteti ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Elbasanit”, gazetarit dhe publicistit të njohur Fatos Baxhaku.
Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm rektori i Universitetit, prof. dr. Skender Topi, Kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja, Kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Hektor Çiftja, kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, familjarë, studentë, pedagogë, gazetarë, miq e dashamirës të gazetarit.
Në fjalën e tij rektori i Universitetit të Elbasanit, prof. dr. Skender Topi u shpreh mes të tjerash se “Jemi së bashku, për të kujtuar e vlerësuar një emër të njohur të botës mediatike, me një kontribut të shquar edhe në mjedisin universitar. Ky emër simbol i medias shqiptare ka mbetur edhe në kujtesën e stafit tonë akademik, për vlerat që kishte dhe që përcolli si lektor për disa vite në universitetin tonë, por edhe për dokumentarët e realizuar me mjeshtëri në gjithë Shqipërinë dhe për librat e shkruar për Shqipërinë e panjohur”.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa e cilësoi gazetarin Baxhaku si “pjesëtar të shkëlqyer të komunitetit të gazetarëve shqiptarë”. Sipas tij, ai i dha rëndësi jo vetëm fjalës, por edhe universit të saj. Çipa e cilësoi atë si “Idro Montanelin e Ballkanit”.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Hektor Çiftja, u shpreh se “Këshilli Bashkiak Elbasan, me unanimitet të plotë i dha titullin “Qytetar Nderi” z. Fatos Baxhaku me motivacionin “ Për kontributin e dhënë në fushën e gazetarisë, si model i njeriut fisnik dhe gazetarit të përkushtuar në të gjitha zhanret e gazetarisë”.
Titulli iu dorëzua familjarëve nga Kryetari i Bashkisë Elbasan i cili u shpreh në fjalën e tij se “ Fatos Baxhaku ishte vlerë për Elbasanin dhe se ky qytet di t’i nderojë bijtë e tij. Emri i tij do të gdhendet në muret e kalasë së Elbasanit”.
Në këtë ceremoni përshëndetën edhe familjarët e gazetarit Baxhaku dhe pjesëmarrës në takim.