NGA FATMIR POPJA
Fshati Qarrishtë i bashkisë së Librazhdit ashtu si shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë zhvilloi festën lokale tradicionale të cilën vendasit e kanë emërtuar “Festa e Bashkimit”. Kjo festë e ka zanafillën e saj 23 vite më parë dhe çdo vit sjell risi të reja. Ajo është konceptuar me ide të qarta nga organizatorët e saj dhe synon ruajtjen, trashëgimin dhe promovimin e vlerave të kësaj zone të njohur dhe mjaft tradita por edhe nxitjen e zhvillimit të turizmit malor.
Qarrishta ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar të Shebenikut, rreth 24 km larg qendrës së qytetit të Librazhdit. Kjo zonë veçohet për bukuritë e shumta natyrore, burimet ujore, florën e faunën e pasur dhe ka plot monumente natyrore e historike.
Në vitin 1990 ky fshat kishte 234 familje dhe 1100 banorë, ndërsa në Gusht 2024 aty jetojnë vetëm 26 familje me rreth 100 banorë. Prej 4 vitesh është mbyllur edhe shkolla fillore dhe ajo 9 vjeçare dhe nuk funksionon më si dikur as qendra shëndetësore. Edhe pse një fshat me emër, histori, tradita, mirëqenie dhe me ndërtime komode për tu patur zili, dikur në malësinë e Librazhdit ai u braktis me shpejtësi si kudo pas vendosjes së sistemit pluralist.
Tashmë kullat qindra vjeçare të këtij fshati nuk kanë më madhështinë e dikurshme dhe dita-ditës po shkatërrohen me shpejtësi pasi të zotët e tyre në pamundësi për të punuar e jetuar aty, prej më shumë se tri dekadash morën rrugën e emigrimit por pa e harruar kurrë vendin ku u lindën. Prandaj që nga fillimi i këtij mijëvjeçari ata organizojnë në Qarrishtë “Festën e Bashkimit” duke i rikthyer për disa orë fshatit të tyre piktorest gjallërinë e munguar, duke kujtuar historinë dhe traditat ku mbi të gjitha spikasin mikpritja e burrëria.
Në kohën e Luftës së dytë Botërore në Qarrishtë u strehuan 26 hebrenj nga familja Biçaku dhe këtë copëz historie të besës shqiptare ata e kanë përjetuar në një memorialin ku shkruhet: “Qarrishta, besa shqiptare”, pasi asnjë nga grupi me 26 hebrenj që u strehuan aty nuk u vra dhe nuk u dorëzua tek gjermanët.
Nënkryetari i Bashkisë së Librazhdit, Ermir Sulollari duke përshëndetur pjesmarrësit në “Festën e Bashkimit” në fshatin Qarrishtë i ka vlerësuar banorët e saj për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë mes tyre në ditë të mira e të vështira. ” Festën e Bashkimit” , e cila organizohet prej 23 vitesh rradhazi, Sulollari e ka cilësuar një tjetër kontribut e vlerë të çmuar të familjeve të Qarrishtës për fshatin e tyre duke ja rikthyer dalëngadalë emrin e shquar të shumë viteve më parë.
Kjo ditë feste e takimi mes njëri -tjetrit është shumë më tepër se një ditë çmallje. “Festa e Bashkimit” duhet të jetë ditë ku duhet risjellë në vëmendje vendlindja.
Qarrishta është një nga fshatrat e Parkut Kombëtar të Shebenikut të cilët ju me mbështetjen e pushtetit vendor duhet ta kthejmë në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor. Në emër të Bashkisë së Librazhdit tha Nën Kryetari, Ermir Sulollari, ju garantojmë mbështetje maksimale të gjithë atyre familjeve që do investojnë në industrinë e turizmit malor në Qarrishtë. Është momenti i duhur për të mos humbur kohë për të investuar në këtë fushë dhe për ti dhënë në pak vite Qarrishtës një mundësi të zhvillimit ekonomik.
Edhe Fatmir Brazhda, Drejtor i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan ka sygjeruar që të fillohet nga promovimi dhe rikostruksioni i banesave tip kullë prej guri, karakteristike të Qarrishtës. Duhet të krijojmë modele zhvillimi dhe të ketë disa pika referimi për turistët vendas e të huaj që të marrë jetë turizmi në këtë fshat ku mikpritja e gatimi janë traditë. Qarrishta është një vend i mrekullueshëm që me një strategji të qartë mund të kthehet në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor.
Nga ana tjetër Shoqata Qarrishta me ish kryetarin Met Biçaku dhe drejtuesin e ri, gazetarin Maliq Hasa janë duke kontribuar në promovimin e Qarrishtës dhe nxitjen e fillimit të investimeve në fushën e turizmit në këtë perlë të harruar të natyrës shqiptare.
Ata që vazhdojnë të jetojnë në Qarrishtë dhe ata që kanë jetuar aty tashmë kané filluar të mendojnë për ta shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm ka fshati Qarrishtë për zhvillimin e turizmit malor. Ata kërkojnë investime për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, sinjalistikën turistike, shërbimet publike dhe sigurinë e lëvizjes së turistëve përgjatë shtigjeve malore dhe janë gati për të investuar sepse e duan vendlindjen dhe besojnë se investimi në fushën e turizmit malor nuk do i zhgëjejë kurrë.