Tuesday , April 22 2025

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare Papa Françesku.

Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani. Papa ndodhej në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli. Dje, të dielën e Pashkëve, ai kishte dashur të merrte pjesë në kremtimet e meshës dhe ishte shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi.

Vdekja e tij vjen një ditë pasi ai u shfaq në sheshin e Shën Pjetrit për të uruar “Gëzuar Pashkët” për mijëra besimtarë.

“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Papa Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, Peshkopi i Romës, Françesku, është kthyer në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, në mënyrë të veçantë në shërbim të më të varfërve dhe të përjashtuarve. Me një mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si një dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ia besojmë shpirtin e Papës Françesku dashurisë së pafund dhe mëshirës së Zotit të vetmit dhe të Trinisë së Shenjtë”, njoftoi Kardinali Farrell.

Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen. Vitet e fundit, papati i tij ishte shënuar nga disa vizita spitalore dhe shqetësime për shëndetin e tij. Më 14 shkurt, Papa u shtrua në spital për trajtimin e bronkitit.