Narratologjia e toponimeve/ Toponime të Elbasanit dhe përdorimi i tyre në tekste lirike

Nga Emine Sadiku

Pyetje pa fund i lindin udhëtarit kureshtar që endet rrugëve të qyteteve, brigjeve të lumenjve, deteve, liqeneve, që ngjit kodrat e malet, që ndesh rastësisht tabela me emërtime/emra shpesh të çuditshëm. A kanë kuptim këta emra, që kur ekzistojnë emërtime të tilla? Origjina e emrave dhe e shenjimeve gjeografike shpesh është tepër e vështirë të njihet e të shpjegohet… Emërtime të tilla janë ose bëhen emra të përveçëm të vendosur për zona të caktuara, për vende, për objekte të veçanta në tokë ose në ujëra. Ato përdoren domosdoshmërisht në gjeografi dhe në hartografi. Ndër funksionet kryesore të këtij kontigjenti është ai individualizues dhe orientues.

Rrugët e qytetit tonë

Para disa vitesh, në vitin 2013, udhëhoqa një temë masteri shkencor të titulluar „Veçori leksiko-semantike të emërtimeve të rrugëve të qytetit të Elbasanit „. Autorja e punimit, studentja ime, Nadiola Çiko, bëri një punë të shkëlqyer për mbledhjen dhe regjistrimin e emrave të rrugëve të këtij qyteti. (Një vend të rëndësishëm teoriko – informativ në këtë punim zë „Katalogu i rrugëve të qytetit të Elbasanit“, f. 59 – 100). Emrat/emërtimet e regjistruara në këtë katalog janë nxjerrë nga disa burime serioze e të sigurta (autorja referon gjithnjë në këto burime). Gjithë materiali voluminoz i emërtimeve renditet alfabetisht. Në hyrje të katalogut autorja prezanton synimet dhe rëndësinë e një liste të tillë. Ndër të tjera ajo shprehet: Karakteristikë e përgjithshme e emërtimeve të …rrugëve është se ato kanë vlerë mikrotoponimesh dhe u shërbejnë njerëzve (edhe) për orientim… (f. 12). Në shqyrtimin tim nuk do të ndalem në përshkrimet klasifikuese leksikore-semantike, të autores, që gjithsesi janë me interes teoriko – pragmatik, por do të fokusohem në çështje të cilat i gjykoj domethënëse dhe intriguese në tematikën dhe në pikëpamjen time të sotme, të këtushme. Shifrat dhe emrat e përdorur do t’i marr nga tema e sipërpërmendur. Siç thotë autorja: emrat e rrugëve, të asaj kohe ( që s’para kanë ndryshuar edhe sot) kanë pasur si emravënës Këshillin Bashkiak, Elbasan, më 29. 09. 2008. (Ka pasur ndryshime në vitin 2012. Rreth 30 rrugë kanë ndryshuar emrat. Dhe procesi nuk mbyllet këtu, vijon e do të vijojë, sipas principit: rrugët mbeten, emrat shkojnë/ndryshojnë…) Si në çdo emërvënie edhe këtu ka arsyetime, parapëlqime, konsultime… Nga rezultati përfundimtar (në listimin e toponimeve rrugore) mund të flitet për dy kritere kryesore të zgjedhjes dhe vendosjes së emrit, ku njëri kriter ka dominancë të dukshme ndaj tjetrit: 1. Kriteri politiko – ideologjik; 2. Kriteri emocional-estetik (Ky kriteri i dytë vihet re më shumë në emërtimet e vjetra, popullore, sot jozyrtare). Sigurisht, edhe emrat e zgjedhur sipas kriterit të parë (ideologjik – politik) ndodh të shfaqin ngjyrime emocionale, të provokojnë përjetime dhe reagime shpirtërore, zakonisht subjektive. P.sh. Emri i Q. Stafës në toponimin rruga“Qemal Stafa”, ku gjendet shtëpia e Q. Stafës, të kujton jetën, aktivitetin, rënien, këngën për Q. Stafën: “Ja shtëpia që të lindi ty, ja rrugic’ e dashur me kalldrëm…”. Atje është ajo, shtëpiza me oborr e gjelbërim, shyqyr që nuk e kanë “zhvilluar” në një pallat ose kullë. Emocione të zgjohen dhe kur papritur ndesh emrin e një personi të njohur, që nuk e ke takuar prej kohësh, që shpreson me mall ta takosh diku në qytet dhe të shfaqet në një tabelë si emër rruge. (Akoma më e hidhur është kur një emër i njohur të shfaqet papritur në një gur varri.) Në Shqipëri, si në shumë e shumë vende të tjera, vetëm pas vdekjes mund të përdoret emri i një personi si emërr rruge, sheshi etj. Kjo ndodh dhe për të shmangur praktikën e viteve të diktaturës, kur p.sh. emri “Enver”vendosej në objekte nga më të ndryshmet, anembanë Shqipërisë. Sipas kriterit politiko-ideologjik si emërtime rrugësh janë përdorur emra: datash historike, dëshmorësh të kohëve të ndryshme, emra veprimtarësh të shquar, profesionistë të spikatur… Në temën e lartpërmendur autorja dallon e grupon me hollësi personalitete dhe data, emrat e të cilëve shfaqen si emra rrugësh:

Data historike: Rruga “ 1 Maj”; rr. 1 Qershori; rr. 10 Korriku etj. Emrat e përveçëm, si emërtime rrugësh, burojnë nga emra të përgjithshëm (qershor, korrik etj.). Kur kthehen në emra të përveçëm, në strukturën kuptimore të emrave të përgjithshëm ndodhin procese të ndërlikuara që e kthejnë fjalën nga njësi, që lidhet kuptimisht me klasa të tëra sendesh e dukurish, në simbole që shënojnë objekte të veçanta, të individualizuara. Emri i përveçëm në funksionin e një toponimi vendos referenca të tjera.

Emra vetiakë dëshmorësh: rr. Ali Arapi; rr. Kozma Naska etj.

Emra personalitetesh të fushave e veprimtarive të ndryshme: mësues të merituar (Abdyl Kajanaku, Adem Jahja, Agim Hoxha, Agron Stringa …); mësues të popullit (Abdyl Paralloi, Aleks Buda…); mjeshtër të merituar të sportit (Agim Kajanaku, Agron Stringa, Alemsha Stafa …); figura të shquara në fushën e mjekësisë (Ali Deliallisi, Bedri Xhomo, Besim Zyma …); artistë të merituar, aktorë të mirënjohur, shkrimtarë, kompozitorë të shquar, krijues të këngës popullore qytetëse të Elbasanit. Përveç emrave të listuar, që shërbejnë si emërtime rrugësh, autorja e punimit ka dhënë dhe copëza informacioni historik ose biografik duke i dhënë punimit një profil më të gjerë, historiko – onomastik.

Në pikëpamje morfologjike klasa e emrave të përdorur si emërtime rrugësh janë zakonisht (me shumë- shumë pak përjashtime,si: lagje “Kala”) në trajtë të shquar, numri njëjës. Në këtë trajtë kryhet më mirë funksioni individualizues.

Materiali onomastik i vjelë dhe i regjistruar nga autorja e punimit, përmban 605 emra rrugësh, sheshesh, parqesh…. Nga këta – 543 emërtime, në grupin e antroponimeve, janë emra burrash, vetëm 23 emërtime rrugësh janë emra femrash. Një pabarazi dhe një diskriminim i dukshëm shoqëror-zyrtar i aktorit dhe faktorit – grua!

Në shkrimin me titull “Një emër për një rrugë”, botuar në “Peizazhe të fjalës”, më 13 prill 2021, autori Ardian Vehbiu, ndër të tjera, shkruan: “Për emrat e rrugëve në Shqipërinë postkomuniste, kam shkruar dhe më parë; përtej nacionalizmit naiv dhe kitsch, ato përcjellin dëshirën e dobët të establishmentit kulturor të tanishëm për të imponuar një version “zyrtar”të kujtesës historike; pa çka se kjo i jep qytetit hijen e një varreze të dorës së dytë, diçkaje për t’u shmangur edhe nga udhëtarët më kuriozë…” Ardian Vehbiu flet për emrat dhe emërvënësit e rrugëve në Tiranë. Por kjo vlen edhe për emërtimin e rrugëve në Elbasan. Me emërtimin e ri të lagjeve, rrugëve, shesheve, kryqëzimeve, me zëvendësimin komplet të emrave të mëparshëm, me përdorimin me shumicë e tepri të emrave të individëve të shquar, panorama e shenjimeve të tilla toponimike shfaqet uniforme, e rrafshuar. Mund të themi që në këtë realitet toponimik historia i kundërvihet gjeografisë . Edhe emrat e rrugëve, që nuk referojnë në persona historikë (10 të tillë në punimin e sipërpërmendur) shënojnë veç data historike… Shpesh emërtimi është kryer shpejt, në të njëjtën mënyrë, pa origjinalitet, gjë që ka sjellë disa herë harrimin e emrave të vendosur. Po të krahasojmë emërvënien e rrugëve të qytetit tonë me dukuri paralele, p.sh. në qytete gjermane, do të vinim re se emërtimi me funksion homazhi ndaj figurave të spikatura njerëzore, alternohet shpesh me përdorimin e fjalëve ose togje fjalësh që referojnë në dukuri estetike, gjeografike, madje dhe desiderata: Rosenheimerstrasse (rruga “Vatra e trëndafilave); Bleib treu Strasse/See (rruga/liqeni “Qëndro besnik”); Rheinuferstraße (rruga “Bregu i Rinit”) etj.

Krahas emërtimeve zyrtare (komuniste dhe postkomuniste) në Elbasan përdoren shpesh emërtime paralele, jozyrtare. Pjesa më e madhe e tyre janë me origjinë nga turqishtja. Semantikisht shënojnë persona dhe dukuri të kohës së pushtimit turk. Për shumicën e qytetarëve elbasanas domethënia e tyre mbetet e panjohur, edhe pse i përdorin rëndom. Duke qenë të vjetër ose shumë të vjetër, shqiptimi dhe shkrimi i tyre nuk është krejt i sigurtë. Në raste të tilla kompleksiteti i problemeve toponimike është i tillë që toponimisti shpesh del vetëm me propozime hipotetike dhe jo me përfundime të unifikuara[1]. Vështirë se gjen sot qytetarë autoktonë elbasanas që emërtimin e ri “lagje 11 Nëntori” ta përdorin për emrin e dikurshëm, por shumë të njohur, “lagje Spahikorre” ose “lagje Çlirimi”- për dikur “Xhaxhurët” (Edhe autorja e këtyre rradhëve do ta humbte toruan po të dëgjonte ose lexonte “lagje Çlirimi” për rrugicat e njohura që përbënin lagjen “Xhaxhurët”). Nuk besoj të ketë banorë, sidomos jo të rinj, nga Fushë Mbreti, të thonë: jemi nga lagjja “Skënderbej”. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për emrat e rrugëve, objekteve dhe shesheve. Emrat e dikurshëm: Rruga e Magjarisë, Rrapi i Bezistanit, Selvitë e Namazgjasë, Pusi që lahet vetë, Tri urat, Rrapi i Bobolles etj., etj. kanë mbetur duke dëshmuar një lloj përjetësie. Në përjetësimin e tyre një rol, jo të vogël, luan dhe fakti që ata kanë hyrë në këngë për të mbetur atje përgjithnjë. Në konceptimin tim (dhe jo vetëm) është e pamundur t’i rrokësh e t’i trajtosh kuptimisht neutralë emrat e rrugëve (toponimet rrugore) të kohës së shkuar ose të sotme. Emërtimet rrugore përmbajnë gjithnjë një narrativë, prandaj i kemi vështruar si objekte narratologjike (në një kuptim më të gjerë të termit). Emërvënia diktohet nga interesa, nga këndvështrime historike e kulturore në nivele vendi ose regjioni. . Edhe emërtimet e vetmuara janë produkt i një procesi dhe reflektojnë e transmetojnë informacion dhe emocion. Për ta ilustruar më tej këtë do të vlente më së miri dhe një fragment nga shkrimi i A. Vehbiut “E shkuara është vendi ynë” (Peizazhe të fjalës, 07. 01. 2025) : Hapësira urbane shërbente edhe për rivënien e përsëritur në skenë të narrativës standard që duhej mbajtur gjallë: themelimi i PKSH-së, ilegalët, atentatet… Të gjitha këto për t’i dhënë qytetit një përmasë ose kuptim historik… Toponimi është më shumë se një shenjues.

Toponimet në tekste lirike të disa këngëve popullore qytetëse të Elbasanit

Si paratekste të këtij paragrafi vlen të përmenden/ të konsiderohen: 1. Studimi sa serioz aq dhe tërheqës i muzikologes Mikaela Minga “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen”, Tiranë 2020”; 2. studimi i Vasil Toles: “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës, rasti i këngëve të usta Isuf Myzyrit”, botuar në “Peizazhe të fjalës”, 3. libri i Thanas Meksit “Etno Folku Elbasanas”, Elbasan 2010, 4. libri i Kastriot Tushës “Kënga popullore qytetare e Elbasanit”, Tiranë, 2022. Sigurisht edhe shumë ngacmime të tjera nga tekste, ngjarje kohësh dhe hapësirash të ndryshme, veprojnë e ndikojnë vazhdimisht në mendimin dhe konceptimin tim. Por vëllimi, tematika e ngushtë e këtij paragrafi nuk më lejon të përhapem në leximet, eksperiencat, ndjeshmëritë, fantazimet e mia. Po kaloj tani në një thënie të Teuta Toskës: …Dhe në ato kohë të shkollës mendoja se kënga popullore qytetase ishte një krijim fare i thjeshtë muzikor…Mirëpo tani përjetimi ka ndryshuar. Kënga popullore e qytetit tim më pëlqen… Ishte hera e parë që leximi i një libri (të Mikaela Mingës) përkthehej brenda meje jo vetëm në tinguj gjuhësorë, por edhe në tinguj muzikorë …(Peizazhe të fjalës, 23. 04. 2021). Duke lexuar tekstet e këngëve të botuara në “Etno Folku Elbasanas” (f. 54- 125) të autorëve të njohur: Isuf Myzyri, Mustafa Bodini, Aleks Vini edhe unë si Teuta në pandehmat e saj të hershme si nxënëse e shkollës së muzikës [2], mund të flas për një thjeshtësi tekstore, ku spikat gjithsesi një sentimentalizëm i thellë. Por tekstet në fjalë janë bërë për t’u kënduar. Kënga popullore shenjohet nga ndikimi i ndërsjellë i muzikës dhe gjuhës, çdo studim i këngës popullore duhet të orientohet nga muzikaliteti i saj. Muzikologu Ramadan Sokoli shprehet për këtë: Kangët popullore nuk mund të kuptohen as nuk mund të depërtohen ndryshe veçse në tansinë e tyre. T’i ndash vjershat nga jonet asht njësoj si me shkye këtë tansi.[3] Kështu kisha bërë gjithnjë, edhe pse intuitivisht. Nuk mund të bëj ndryshe as tani që sjell ndërmend atë shumësi këngësh të Myzyrit, Bodinit, Vinit, që i dëgjoja në radio, pa e ditur autorësinë dhe i këndoja vetë nëpër shtëpi. Tek shikoja informacionin e Th. Meksit, tekstet e këngëve të tre autorëve, vura re që shumicën e atyre teksteve – këngë i dija përmendësh. Sot nuk e di tamam pse më bënin aq përshtypje (p.sh.) dy vargjet e I. Myzyrit: Edhe me m’qit prej Elbasani/ Un se hek ma ket sevda….[4] Ishte Elbasani që e bënte ndjenjën intensive, apo dashuritë dhe dallditë e kënduara nga autorë elbasanas i jepnin qytetit veçori që nuk i kishte. Emri Elbasan është kryetoponimi që shfaqet pothuaj në tërë këngët e tre autorëve të përmendur. Përsëri në kuadër të konceptimit intertekstualist dua të citoj një vjershë – këngë popullore të përmendur nga I. Kadareja dhe të poetizuar më tej nga D. Agolli: Duda ish prej Elbasani/ treqind grosh i bëj fustani…[5] Në të gjithë poezinë e D. Agollit, në pesë strofa katërvargëshe, gjejmë disa toponime që referojnë në qytetin tonë: Elbasan (3 herë), Rrapi i Bezistanit dhe emra të tjerë që shënojnë hapësira tipike elbasanase. Edhe në një këngë të mëvonshme të shkruar në stilin e këngëve tipike popullore qytetëse të Elbasanit efekti muzikor-emocional transmetohet, ndër të tjera, me praninë e toponimeve dhe ndonjë dukurie tjetër (kumuria)-karakteristikë e qytetit Elbasan: Rreth e rreth kalasë/ këndon kumuria…Elbasan i bukur, Elbasan./ E pas Namazgjasë vjen Metalurgjia… Në krijimet lirike toponimet e përdorura ofrojnë mundësi të shumta perceptimi dhe reflektimi. Duke shënuar hapësira konkrete, ato zgjojnë konotacione historike-kulturore, gjenerojnë figura poetike. Efekti receptues ndikohet dhe nga vetë lexuesi dhe nga koha e leximit. Shpesh toponimet kanë natyrë simbolike; ndërsa shënojnë hapësira konkrete, ato sinjalizojnë edhe shtresa e ngjyrime kuptimore-perceptive. Edhe vetë toponimi Elbasan, që shfaqet në tekste të ndryshme te secili ndër tre autorët (Myzyri, Bodini, Vini) shenjon konceptime të realizuara nga këndvështrime (disi) të dallueshme. Për Myzyrin Elbasani është vatra ku ndizen e flakërojnë dashuritë: Si ylli Afërdita/ Linde në Elbasan…ose: Ah ju bafsha atij syni/N’Elbasan asht krijue…ose: Ju kam betu qi nuk du tjetër/trandafilit n’Elbasan…Për Mustafa Bodinin Elbasani është qyteti i kumurive, në kuptimin direkt dhe indirekt të fjalës, si simbol dhe metaforë: Kumuri e Elbasanit/ Këndon herët në mëngjes. Ndërsa Alex Vini e shtrin këngën në një hapësirë më të gjerë: dashnori është elbasanas; dashnorja – dibrane: Moj dashnore moj dibrane… E mori vesht Dibër – Elbasan… Nuk mund të lë pa përmendur, që në këngët e M. Bodinit, shquhet për referencialitet dhe përdorimi i një antroponimi: Qofsh e lumtur, moj Ballkize (Etno Folku Elbasanas, f.98)… Edhe pse nuk dihet kush ishte kjo Ballkize, përdorimi thyen anonimatin e mikeve, bukurosheve, shpesh shpërfillëse ndaj zërit dhe ndjenjës lirike. Ashtu si toponimet e mirëfillta, edhe disa fjalë a grupe fjalësh, që përsëriten rëndom nëpër tekste, referojnë në realitete hapësinore që edhe sot kanë një tingëllim poetik, si: penxhere, lulishte, pyll, zabel, saksi, (ke) dera, porta, rrugicë … Ndërsa togu “çezmja e kishës” (Etno Folku Elbasanas, f.110) është një dukuri në kapërcyell, unë e lexoj si toponim duke ia referuar një vendi krejt të caktuar në lagjen Kala.

Chronotopos – një lexim kohor-hapësinor i toponimeve

Teoricieni letrar rus Michail Bachtin ka përdorur termin Chronotopos si koncept në analizime tekstesh letrare. Me këtë emërtim ai synonte të prezantonte lidhjen midis vendit dhe kohës në elemente dhe pjesë të ndryshme me karakter letrar-artistik. Bachtin-i thekson se hapësira dhe koha nuk gjenden të ndara në letërsinë artistike por të lidhura e të kushtëzuara reciprokisht. Një chronotopos mund të jetë një vend i caktuar në një kohë të caktuar që dikton veprimin dhe karakterin e figurave letrare. Analiza e chronotopeve mund të mbështesë të kuptuarit e përmbajtjeve letrare dhe stilin përkatës. Chronotopos është një nocion letrar që përdoret jo vetëm për të përshkruar lidhjen e ngushtë të vendit dhe kohës në një tekst, por ndihmon dhe për të shtjelluar atmosferën specifike, veprimin dhe domethënien që ofrojnë tekstet letrare.[6] Toponimet e përdorura në këngët popullore qytetëse të Elbasanit, kuptimet e tyre, nuk mund të rroken sot qartësisht larg/jashtë atmosferës kohore. Elbasani i autorëve tanë, ashtu siç del në këngët e tyre, nuk është Elbasani i sotëm, në shumë pikëpamje, në shumë konceptime: gjeografike, demografike, social-kulturore etj.. Në librin e M. Bachtin gjejmë shprehje , si: As vendi (Raum), as koha (Zeit) nuk janë absolutisht të pandryshuara, ato duhen vështruar gjithnjë të lidhura e të ndërvarura, madje në raste të skajshme ato shfaqen si variable të ndërkëmbyeshme (f. 213). Ky lexim chronotopik do të ishte një procedurë e arsyeshme për receptimin e sotëm të këngëve popullore elbasanase në shqyrtim. Edhe ato objekte, që janë ruajtur disi të pandryshuara, janë shumë pak të tilla: ndoshta vetëm Porta e Kalasë, rrugicat e Kalasë…nuk e kanë shmangur dot veprimin “gërryes” të kohës, të historisë…Ndërsa Rrapi i Bezistanit, Selvitë e Namazgjasë etj. kanë mbetur vetëm një pjesë (muzeale) e asaj që ishte. Koha, që në vetvete është abstrakte dhe nuk rroket me shqisa, me anë të konkretësisë së vendit (toponimit) në procesin chronotopos fiton ekzistencë dhe bëhet e dukshme/e kapshme letrarisht. Me anë të materializimit të kohës në hapësirën toponimike arrihet kushti i shpalosjes (në kohë) të përmbajtjes. Në të kundërt hapësira e shënuar me një toponim mbetet bosh dhe pa jetë, gjeografi pa histori. Chronotopos është dhe mënyrë e prezantimit, e përshkrimit të njerëzve që figurojnë në një krijim artistik. Portreti i personave veprues në një pjesë letrare-artistike është domosdoshmërisht chronotopik. P.sh.: në një këngë të A. Vinit: Ke dera, ke dera të pret Aleksi ty… Lagje m’lagje tuj t’kërku/shpirti im pas teje vdiq… Portreti i lirikut te dera dhe duke bredhur nëpër lagje në kërkim, i dëshpëruar, ishte karakteristikë e asaj kohe, i atij regjioni dhe i mentalitetit e psikologjisë të shumë autorëve e të rinjve të kohës. Në përmbledhjen e Th. Meksit “Etno Folku Elbasanas”(Elbasan, 2010) janë përfshirë 17 tekste këngësh të mjeshtrit popullor Isuf Myzyri. Pothuaj në çdo tekst, në çdo këngë përdoret emri-toponim Elbasan: Myzyri t’u ba ashik/ty moj lule n’Elbasan …N’Elbasan asht nji plak/Këto vjersha na i ka qit…Toponimi shfaqet në një mjedis tekstor me thënie që zakonisht kanë kuptim direkt, pa nënkuptime, me figuracion të dobët (metafora ose krahasime të fshira nga përdorimi i shpeshtë): Ju kam betu qi nuk du tjetër/Trandafilit n’Elbasan ose: Të kam dashtë edhe të du/ Konxhe në Elbasan…Me muzikën ndryshon qasja e autorit ndaj tekstit dhe e lexuesit ndaj krjimit: fjalët nuk jepen vetëm në lidhjen e tyre kuptimore, por edhe në materialitetin e tyre muzikor. Thëniet me karakter të përgjithshëm marrin ngjyra impresionesh. Mënyra se si muzika dhe melodia veprojnë dhe ndikojnë një tekst këngor mbetet përtej refleksionit të ndërgjegjshëm. Fuqia që gjendet në veprimin e muzikës ndaj tekstit dhe e këngës ndaj dëgjuesit është më shumë se një problem poetik apo muzikor.[7] Si në tekstin ashtu dhe në këngën përkatëse, që përmban toponime, kjo kategori fjalësh dallohet për theksimin e veçantë. Duke qenë njësi me referencë konkrete, ato tërheqin vëmendjen dhe prodhojnë atmosferë, ku koncepti statik i vendit pasurohet me perceptime kohore (që ndryshojnë nga epoka në epokë, nga personi në person). Nga një koncept statik absolut, ku koha rrjedh pa u vënë re, zhvillohet një konceptim dinamik kohor-hapësinor që përbëhet, që përmban materie dhe energji [8]. Në chronotopos-in letrar-artistik shkrihen tiparet hapësinore me ato kohore në një të tërë të vetme. Brenda tematikës sonë po e ilustrojmë fenomenin chronotopos me disa pasazhe tekstore të I. Myzyrit: Dola n’pjacë të Bezistanit/ E pashë rrugën e Manxharisë/ S’vyshket lulja Elbasanit…[9] Toponimet Bezistan, Manxhari, Elbasan involvojnë një recipient me dije të mjaftueshme gjeografike, historike, krahinore. Rrjedhja e kohës ndihet qartazi nga zhvendosja prej njërit objekt në tjetrin (njëri pas tjetrit), të cilët gjenden dhe pranë njëri – tjetrit. Informacion kohor jepet dhe me foljet dola, pashë në të kryerën e thjeshtë… Ka një strofë në një këngë të I. Myzyrit (“Ma mirë në pyll se në qytet” ) ku në çdo varg gjendet një toponim: Kapërceva maln’ e Krastës/ Të mir meç mor Elbasan/ Vuna kamën në mal t’Vashës/ Pashë Sopotin dhe Vasjan. [10] Në vargjet e sapocituara: Kapërceva maln’ e Krastës…katër toponimet e përdorura japin së pari objekte gjeografike. Krahinat përreth Elbasanit: mali i Krastës etj. njihen për natyrën tërheqëse me vegjetacion të pasur dhe me gjithfarë atraksionesh gjeografike. Të paraqitura si në një hartë krahinore, të lexuara si një informacion i përgjithshëm gjeografik, toponimeve do t’u mungonte dimensioni kohor, do të ishin të privuara nga një lloj gjeografie humane. Por un-i lirik, si instancë perceptuese, nuk mund të operojë në vrojtimin e vet pa faktorin kohë. Teoria chronotopos e M. Bachtin referon dukshëm dhe në teorinë e njohjes së Kantit: Hapësira dhe koha janë forma të domosdoshme të çdo njohjeje duke filluar nga perceptimet dhe parafytyrimet më elementare…(Immanuel Kant: Kritik der reinen Vernunft, Suhrkamp, 1974, f. 45). (Ky citat gjendet dhe në librin “Chronotopos”, f. 208)

Edhe për ne, që e njohim Elbasanin me qendër, periferi, krahina fqinjë, por sidomos për amatorë jo elbasanas të këngës së Myzyrit, mënyra chronotopos e receptimit do të siguronte një lexim më të thellë dhe efektbërës. Në një lexim të tillë Mali i Vashës nuk është vetëm objekti gjeografik që lartohet, gjithnjë i gjelbër, që ngrihet – thikë në anë të Shkumbinit, por dhe vendi historik ku u luajt tragjedia e një djali të dashuruar, që humbi jetën duke ngjitur në krahë, drejt majës së malit, të dashurën e tij. Enigma e kësaj drame të së shkuarës e shoqëron pothuaj gjithnjë vrojtimin e malit nga një udhëtar soditës që e njeh krahinën, që e ka dëgjuar legjendën për vajzën, vashën e përjetësuar në toponimin “Mali i Vashës”… Siç mund të shihet dhe të kuptohet chronotopos si mënyrë leximi e tekstit letrar (artistik) ngjet shumë, madje është produkt dhe kategori e estetikës receptive. Si krijuesi ashtu dhe lexuesi-recipienti janë pjesëmarrës në gjenerimin e botës së dhënë në një tekst letrar ose në një objekt artistik, qoftë kjo dhe këngë. Në ndërtimin dhe receptimin e tekstit letrar funksioni i toponimeve nuk është vetëm ai i shenjimit të një hapësire të caktuar. Në kontekste të ndryshme (hapësinore-kohore) kuptimi i tyre mund të variojë. Si emra të përveçëm objektesh hapësinore toponimet në një krijim letrar-artistik shfaqin veçori karakteristike të ndryshme nga ato që realizojnë në komunikimin e përditshëm. Të shkëputura nga ligjërimi i zakonshëm bisedor, ato fitojnë një “aktualizim maksimal, pasurohen me veçori dhe vlera që mbeten pa u vënë re në kontekste të tjera”…[11] Toponimet në tekste letrare, me kuptimet e tyre specifike, u përkasin grupit të koncepteve që kanë një bërthamë relativisht stabël dhe një periferi sensitive kontekstuale. P.sh.: Varet nga konteksti historiko-gjeografik perceptimi dhe parafytyrimi i objekteve hapësinore të shenjuara me toponime në tekstin e në këngën e I. Myzyrit, varet nga konteksti se cili parafytyrim do të aktivizohet për Elbasanin, Krastën, Malin e Vashës ose për objekte më larg Elbasanit: Sopot, Vasian.

Por vetëm një analizë chronotopike nuk mund ta përfshijë dhe ta evidentojë tërë produktivitetin semantik të tekstit. Gjithsesi me një lexim chronotopik zbulohen shumë shtresa kuptimore-letrare që përndryshe do të mbeteshin të fshehura.

Ekskurs : Qyteti/ rruga/ rrugica amtare

Lidhja me rrugën e fëmijërisë është krejt idividuale, subjektive. Gjithsesi, mund të harrohen shumë gjëra nga fëmijëria, por nuk harrohet rruga ku kaluam këtë pjesë të jetës. Ritakimi me të, rikthimi te ajo sjell e përplas te ne kujtime gjithëfarëshe, (në rastin tim) të mbushura me harenë e notave dhe lavdërimeve të mësuesve të fillores, me mallin fëminor për mësuesin e klasës së katërt pas mbarimit të fillores… Mes kujtimesh shfaqen dhe privacionet jetësore të kohës… Nuk do të merrem më tej me kujtimet dhe refleksionet e mia për rrugicën e fëmijërisë. Ajo është gjithmonë aty, pak e ndryshuar nga atëherë. Përbri saj, atje ku fillonte një truall bosh, vetëm me dy drurë të lartë, është ngritur një pallat (ndërtesë) shumë më e lartë se drurët. Ndjenjat e mia të vakëta e disi të fshira për rrugicën e fëmijërisë dua t’i ballafaqoj tani me tekste që feksin nga përjetime të ndezura, nga ndjenja e mbresa të forta për rrugët dhe qytetet amtare. Po filloj me Kadarenë e famshëm: Erdha prapë pas një kohe të gjatë në qytetin gri e të pavdekshëm. Këmbët e mia prekën me druajtje shpinën e udhëve të tij të gurta…Nëpër qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjera dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të më pengohen këmbët atje ku s’pengohet askush. Kalimtarët kthenin kokën të habitur; por unë e dija, ishit ju. Ju dilnit papritur nga asfalti dhe pastaj fundoseshit prapë në thellësi të tij… Është fenomenal momenti i ritakimit dhe i përjetimit të kontaktit me gurët e kalldrëmit amtar. Besoj që çdo shpjegim e koment do të ishte i tepërt, i kotë…

Veç Kadareja nuk kalon në hove entuziaste të llojit premtime (si: nuk të ndërroj ty me asgjë…), betime superlative si në poezinë/këngën ruse (rusisht) Улица родная „Rruga amtare“ (Internet). Kjo këngë me muzikën, që i shkon shumë për shtat tekstit, është një lloj himni për rrugicën e fëmijërisë. Asgjë nuk është vjetëruar në konceptin, në përjetimin dhe në kujtimet e autorit (lirikut) nga ajo rrugë e kohës së shkuar. Ai përshkruan me nostalgji pamjet, herë në tërësi si tabllo e parë nga larg, herë ndalet në objekte të veçanta që vetëm një parafytyrim artistik dhe një mall i madh i pikturon me aq përkushtim. Ashtu siç shpaloset e gjëllin rrugica në këtë pjesë, tepër të njohur e të dashur, ajo merr vlerë dhe bëhet simbol i mbarë atdheut. Dashuria për të është e tillë që nuk njeh kufi e stinë:

Когда весна придёт, не знаю,

Пройдут дожди… Сойдут снега…

Но ты мне, улица родная,

И в непогоду дорога.

Nuk e di kur vjen pranvera

Kur vijnë shirat e bie borë..

Veç ti rrugicë e fëmijërisë,

E dashur mbetesh përgjithmonë…

Më tej zëri autorial buçet:

На свете много улиц славных,

Но не сменяю адрес я.

В моей судьбе ты стала главной,

Родная улица моя.

“Ka në botë shumë rrugë të famshme,

(Por) nuk i ndërroj unë me atë.

Ti fatin tim e shenjove,

Rrugicë e dashur përgjithnjë…”

Poezia “Die Stadt” e Teodor Shtorm është një tjetër piedestal lirik ku vendoset “vatra” amtare, këtë herë – një qytet. Poezia e shkruar në vitin 1851 i kushtohet qytetit Husum që ndodhet në Gjermani, në brigjet e Detit të Veriut. Kur e lexova poezinë për herë të parë premtova se nuk do të ndahesha nga kjo botë pa e parë Husum-in, aq më kishte tërhequr e mrekulluar poezia me objektin e saj, qytetin verior. Po kur m’u dha rasti të sodis grinë aktuale të qytetit, ta krahasoj me atë të poezisë, e ndjeva dhe e kuptova që grija artistike e Shtorm ishte më shkëlqimtare, më efektbërëse dhe çudibërëse, më melankolike se çdo gri reale: e detit, e qiellit, e mjegullës, e rërës … Shtorm nuk lindi në Husum, por kaloi atje fëmijërinë dhe rininë. Ashtu si qyteti frymëzoi një poezi shumë të njohur e të gjithëvlerësuar, ashtu dhe poezia u bë shenjimi më tërheqës, “reklama” më e goditur për qytetin. Edhe pse nuk jetonte atje, kur vdiq, Shtorm u varros në Husum. Amaneti i tij ishte skalitur qartazi në strofën e fundit të poezisë:

Doch hängt mein ganzes Herz an dir,

Du graue Stadt am Meer;

Der Jugend Zauber für und für

Ruht lächelnd doch auf dir, auf dir,

Du graue Stadt am Meer.

Por zemren e kam lënë te ti/qytet gri në bregdet /magjia e rinisë përgjithnji/ ngado buzëqesh te ti, te ti, /qytet gri në bregdet.

Megjithatë mund të them se përkthimi im i pjesëve të cituara nuk ka arritur ta japë potencialin shprehës të origjinaleve.

Informacion vs. Emocion

(fjalë për këngën “Shtëpinë e kam ke pusi që lahet vetë)

Si fillim po jap tekstin e këngës në variantin e kënduar nga Mehdi Zani dhe Rati (Plaurent Shushku), (Internet, Youtube):

Unë e kam shtëpinë/ ke Pusi që lahet vetë, 1

O nana më ka rritë/ hajde o me kimet-e 2

O zanatin ç’e kam/ o lala briskaxhi, 3

mjeri un’, moj nane,/ po vdes pa njeri… 4

Dyqanin e kam/ ke Port‘ e Kalasë, 5

mjeri unë, moj nane,/ po vdes prej sevdasë… 6

(Siç shihet metrika e vargut merr një shtrirje tjetër, duke u zgjeruar me pjesëza mbushëse (interpolacione): o, hajde, o, e, o, o, lala, moj.

Edhe i vetëm, i shkëputur prej muzikës, sfondeve filmike dhe interpretimit, teksti emeton dukshëm informacion dhe emocion, dy komponente të poezisë lirike. Autori lirik me anë të medium-it gjuhë transmeton të dhëna nga personi, jeta e tij. Forma e komunikimit nuk është as dialog, as monolog. Refleksionet e rrëfyesit lirik luajnë rolin kryesor në shpalosjen e përmbajtjes së tekstit. Përdorimi i deiktikut unë (formës së tij rasore më), mbaresave foljore të vetës së parë/njëjës: kam, vdes … e përforcojnë përshtypjen mbi përqëndrimin e folësit (un-it) në rrëfimin e tij. Në procesin e komunikimit midis lirikut dhe marrësit ndërthuren informacione dhe emocione. Këto dukuri, në rastin tonë, ndikojnë te njëra – tjetra dhe nuk mund të ndahen. Komponentet informative dhe emocionale përçojnë një imazh unik, konstrukt dukurish reale dhe vlerësimesh subjektive. Synohet një ndikim i dyfishtë: 1. Me anë të dukurive reale-jetësore; 2. Me anë të prezencës së ndjenjave që i shoqërojnë ato.

Mjetet e shprehjes: Në shprehjen e sferës reale, që prezantohet në këtë tekst, një rol të dukshëm luajnë toponimet: Pusi që lahet vetë; Porta e Kalasë. Përveçse emetojnë të vërteta hapësinore – gjeografike, ato janë të ngarkuara me ngjyrime historike, krahinore, zgjojnë emocione, asociacione gjithfarëshe te recipienti ( i tekstit dhe i këngës). Legjenda e pusit, e ujit që ngrihej lart, gurgullonte e derdhej jashtë e ka shenjuar përgjithnjë këtë objekt. Realitet (konkret) emetojnë dhe njësi referenciale, si: shtëpinë, nana, zanatin- briskaxhi, dyqanin. Edhe fjala sevdasë (në rrjedhore), me kuptim abstrakt, ka aftësi referenciale. Përdorimi i nyjave shquese te emrat e sapo përmendur (shtëpinë etj.) ndihmon identifikimin e referentit nga marrësi i mesazhit. Format respektive, pa nyjë shquese, përjashtohen në shprehjen e situatave të tilla (kam një shtëpi, kam një zanat etj.)

Në tekst ndodh rregullisht alternimi: informacion vs. emocion (shih për këtë dhe shpjegimet përkatëse kuptimore të këtyre fjalëve në „Fjalor i Shqipes së Sotme, Tiranë, 1984, f. 261 dhe 452). Vargu paraardhës, duke filluar nga vargu 1, duke vijuar me vargjet 3, 5 referon në një sferë reale, dallohet për referencialitet të dukshëm: rrëfyesi banon te “Pusi që lahet vetë”, është briskaxhi/berber, dyqanin e ka te “Porta e Kalasë”; vargjet 2, 4, 6 emetojnë emocionalitet, përjetime shpirtërore, ndjenja subjektive të lirikut – zëdhënës të autorit. Edhe vargu i dytë: O nana më ka rritë hajde o me kimet-e , që duket si informativ, ka një përmbajtje shumë të përgjithshme, shpreh (më shumë) ndjenjën që zgjon një kujdes i veçantë prindëror. Në raste të tilla, me komponentë emocionalë, (që i shtresohen informacionit real), dëgjuesi recipient percepton vetë referentë diskursivë duke u nisur nga ajo, që ofron producenti dhe nga eksperienca e tij. Konfrontime të tilla informacion – emocion janë përbërës dhe tregues të teksteve lirike. Janë gjithnjë burime ndikuese – estetike

I gjithë spektakli: kënga me tekst, muzikë, interpretim (Zena – Rati), me skenat e filmuara, të prezantuara në video, me pamjet e shumta plotësuese: ambiente festive – familjare, me të dhënat gjeografike – historike, përbën një eveniment muzikor – artistik. [12]

Edhe një toponim i vetëm

Po citoj katër vargje që përbëjnë një tekst kënge popullore:

O ke xhamia kam lan‘ peshqirin,

Sa me lot po qan Tahiri,

O mu ke porta lash këpucët,

Ke tri urat u ni zani pushkës. (Internet)

Përveç një lloj rime : peshqiri(n) – Tahiri; një lloj asonance: këpucët – pushkës, kompleksi i vargjeve është larg së qeni poezi (me një shprehje të T. Toskës do të thonim: pa thellësi ndjenje e lartësi mendimi). (T. Toska: Jehonat e tingujve prej një libri, Peizazhe të fjalës, 23 prill 2021). Por sapo shfaqet toponimi tri urat (lagje në Elbasan), ndalet vëmendja e lexuesit. Togfjalëshi toponimik referon në një zonë të përcaktuar gjeografikisht. Lexuesi, me eksperiencën përkatëse, e njeh atë, njeh shtrirjen e saj dhe objektet në të. Fshihen komplet nga receptimi fjalët me objektet përkatëse: xhami, peshqir, këpucë, portë, Tahir dhe dominon toponimi “tri urat” me semantikën, kujtimet dhe asociacionet që zgjon. Informacioni dhe emocioni i vargut: Ke tri urat u ni zani pushkës, spikat sidomos në atë sfond momentesh e përjetimesh pa një lidhje të dukshme… Ndikimi i tij kalon në sugjestion.

(c) 2025 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.