Wednesday , March 12 2025

“Miss Mama” në Elbasan/ 79 vjeçarja që konkurroi për kurorën e së bukurës, tregon historinë e veçantë të dashurisë

Është 79 vjeç, por mosha nuk e ka ndaluar të bëjë atë që do. Kristina Qirko ka marrë pjesë në konkursin “Miss Mama”, një event që zhvillohet në Elbasan që bën bashkë gratë me ëndrra dhe pasione.

79 vjeçarja dhe organizatorja e eventit Xhilda Toska ishin të ftuar në “ABC-ja e mëngjesit”. Toska tha se e organizon këtë event prej tre vitesh, përmes të cilit synon të përcjellë mesazhe të forta.

“Organizohet më 8 Mars, në kuadër të të drejtave të gruas. Jepet mesazhi që mosha është thjesht një numër. Ishte një tabu kur e solla si event“, u shpreh Toska.

Kristina tregoi edhe historinë e jetës së saj, dashurinë e saj të parë në moshën 15 vjeçare, dhe ribashkimin me të pas 30 vitesh. Kristina tha se babai nuk i lejoi bashkë për shkak të përkatësisë fetare. U martua me një shqiptar në Argjentinë, por bashkëshorti ndërroi jetë.

Pas tre dekadash në Argjentinë, Kristina rikthehet në Shqipëri kur edhe takohet me dashurinë e parë./abcnews.al