“Dëshira ime për futbollin ka lindur që kur kam qenë e vogël” Prej 11 vitesh luan futboll me ekipin e femrave të Apolonisë dhe ëndrrën e saj për një karrierë të shkëlqyer ajo nuk dëshiron ta lërë në sirtar. Në një intervistë për faqen e federatës, Agli Iliadhi tregon dëshirat, sakrificat dhe dëshirat që ka për të ardhmen.
Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
“Dëshira ime për futbollin ka lindur që kur kam qenë e vogël, pra që në moshën 5-vjeçare. Në fillim stërvitesha me një grup djemsh në lagje dhe më pas ndjeja se si çdo ditë e më shumë luaja me më shumë pasion dhe kuptoja se sa shumë e doja këtë lojë.”
Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
“Babai im, ai ka qenë njeriu i parë që më ka afruar me futbollin. Duke qenë një njeri që vinte nga bota e sportit, pasi më parë ka luajtur dhe vetë futboll, ai ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua. Që në ditën e parë që kam prekur topin e futbollit me këmbë më ka dhënë besim që unë të vazhdoj e të luaj këtë lojë.”
Si stërvitesh, si punon? Na tregon pak nga puna jote e përditshme?
“Që prej 3 vitesh unë jam futbolliste e ekipit të Apollonisë së Fierit, ku stërvitem fort dhe punoj fort, jo vetëm në stërvitje, ku jap maksimumin tim, por edhe individualisht punoj shumë. Pushimi për mua nuk ekziston, pasi kam një ëndërr për të realizuar.”
Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
“Të them gjithçka nuk do ta besonit, por unë realisht kam sakrifikuar gjithçka për këtë lojë. Futbolli ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë i pari për mua.”
Çfarë synimi ke për të ardhmen?
“Si çdo njeri tjetër, edhe unë kam synime për të ardhmen. Por për momentin i vetmi synim që kam është të kem një karrierë të ndritur në fushën e futbollit. Nuk dua të jem si të tjerët, dua të jem ndryshe.
Dua që të më shohin dhe të thonë: “Shikojeni atë, bëhu si Agli”. Dua që këtë pasion ta kthej në profesion dhe të mos lodhem kurrë nga kjo që po bëj. Ëndrra ime është të arrij të luaj jashtë Shqipërisë, në ligat e mëdha europiane.”
Cila është motoja jote ose mesazhi për bashkëmoshatarët e tu?
“Unë jam ende e vogël për vete, por kam mësuar se nëse duam që të realizojmë ëndrrat tona, të vendosim paraprakisht qëllime. Pa qëllim nuk mund t’i realizojmë këto ëndrra. Pa punë dhe vullnet nuk mund të ecim përpara. Unë jam mërzitur shumë herë, por nuk kam ndaluar, sepse e di që gjërat e mira duan kohë që të vijnë.”
Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
“Idhulli im është babai im, Roland Iliadhi.”