Pas 548 ditëve të masave shtrënguese për të frenuar përhapjen e COVID-19, Danimarka hoqi të gjitha kufizimet, duke hequr kategorizimin e sëmundjes si “kërcënim kritik për shoqërinë”. Procesi i vaksinimit në vend është rritur me shpejtësi, me mbi 73% të 5.8 milionë popullsisë të vaksinuar plotësisht, raporton Anadolu Agency.
Në një postim në Facebook, Ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke tha se koronavirusi “nuk është më një sëmundje kritike shoqërore”. “E Premte e mirë për të gjithë. Le të shijojmë jetën. Dhe kujdesuni mirë për njëri -tjetrin,” tha ai. Më 27 gusht, qeveria kishte vendosur të mos zgjasë kufizimet ekzistuese përtej 10 shtatorit për shkak të “shkallës së lartë të vaksinimit” dhe “kontrollit të fortë të epidemisë”.
“Megjithëse jemi në një pozitë të mirë tani, nuk kemi arritur në fund të epidemisë,” u shpreh Heunicke. “Prandaj, qeveria nuk do të hezitojë të veprojë shpejt nëse pandemia kërcënon edhe një herë funksionet kritke në shoqërinë tonë.”
Kjo do të thotë se kërkesa për pasaportat e vaksinave, të cilat u prezantuan në mars për të hyrë në klube nate dhe disko, gjithashtu ka përfunduar. Ato u hoqën në të gjitha vendet më 1 shtator. Sidoqoftë, maskat janë akoma të detyrueshme në aeroporte dhe njerëzit këshillohen t’i vendosin ato në qendrat e testimit ose spitalet.