Vëllezërit Rajapaksa, Mahinda dhe Gotabaya, u përshëndetën nga shumë njerëz si heronj në Sri Lanka për fitoren e luftës civile, por tani shkëlqimi i tyre ka rënë dhe kritikohen si udhëheqës.
Është një rënie dramatike për një familje që ka dominuar politikën e Sri Lankës për më shumë se një dekadë, raporton BBC.
Mahinda Rajapaksa cilësohej dikur si një hero për t’i dhënë fund gati tre dekadave të luftës civile kur rebelët e Tigrave Tamil u shtypën në vitin 2009 gjatë mandatit të tij të parë si president.
Babai i tij ishte një parlamentar dhe Mahinda gradualisht u ngrit nga lideri i opozitës në parlament në kryeministër në vitin 2004.
Kur u bë president një vit më vonë, ai e bëri Gotabayan sekretar të mbrojtjes.
Ishte një kërcim i madh në karrierë për vëllain më të vogël, i cili po bënte një jetë të qetë në SHBA pasi u tërhoq nga ushtria e Sri Lankës. Gotabaya u bë i njohur, duke fituar një reputacion për pamëshirshmëri. Së shpejti, vëllezërit dhe të afërmit e tjerë iu bashkuan qeverisë.
Të dy ata janë arratisur nga vendi në orët e para të ditës së sotme. Raportohet se presidenti Gotabaya Rajapaksa ndodhet në Maldive së bashku me gruan e tij, pasi iku nga vendi pak para mbarimit të afatit për të dhënë dorëheqjen zyrarisht. Gjithashtu edhe vëllai i tij është arratisur dhe mendohet se ka shkuar në SHBA