Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes nga blerjet në internet pasi mund të bien pre e mashtrimeve në transaksione.
Ja se si të mbroheni kur shisni produkte në rrjet nga mashtruesit në internet:
– Sigurohuni që të gjithë punonjësit tuaj të jenë të vetëdijshëm për çështjet e mashtrimit që prekin dyqanet në rrjet;
– Qëndroni të përditësuar mbi llojet e mashtrimeve të pagesave në rrjet që prekin këto lloj biznesesh dhe sigurohuni që të keni mjetet në dispozicion për t’i parandaluar ato. Institucionet e sigurisë, por dhe bankat me të cilat bashkëpunoni do të kenë detaje mbi llojet e mashtrimit të pagesave në rrjet. Kontaktojini!
– Njihini klientët tuaj, në mënyrë që të jeni në gjendje të verifikoni pagesat e tyre.
Këshilla për blerësit në internet:
– Asnjëherë mos dërgoni me e-mail numrin e kartës suaj, PIN-in ose ndonjë informacion tjetër të kartës;
– Asnjëherë mos i dërgoni para dikujt që nuk e njihni;
– Ruani gjithmonë të gjitha dokumentet që lidhen me blerjet tuaja në rrjet
– Nëse nuk po blini asgjë, mos i paraqitni të dhënat e kartës suaj;
Suela Bonjaku, specialiste pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike doli në një deklaratë për shtyp ku dha detaje për operacionin e përbashkët me EUROPOL-in, me fokus krimet kibernetike, si rezultat i së cilës u arrestuan 28 persona në vendet pjesëmarrëse, si të dyshuar për mashtrimin me transaksione.
Operacioni që u zhvillua përgjatë gjithë muajit tetor, si pjesë e Veprimit të Tregtisë Elektronike 2021 përfshin vendet: Shqipëri, Austri, Belgjikë, Kolumbi, Kroaci, Greqi, Hungari, Irlandë, Itali, Gjeorgji, Holandë, Maqedoni e Veriut, Poloni, Portugali, Slloveni, Sllovaki, Spanjë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,. Ky operacion u mbështet nga EUROPOL dhe Këshilli i Rrezikut të Tregtarëve, të cilët bashkuan forcat në një veprim të koordinuar kundër mashtrimeve në internet.
Veprimtaria kriminale përfshinte përdorimin e disa aplikacioneve në telefonat celularë, të cilat lidheshin me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme.
Në vijim të operacionit ndërkombëtar, të gjitha vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën duke përdorur hashtagun #SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre që të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë në rrjet.
Pas suksesit të fushatës ndërgjegjësuese 2020, për të nxjerrë në pah mënyrat kryesore për të luftuar mashtrimin në internet, EUROPOL, së bashku me Këshillin e Rrezikut Tregtar dhe vendet pjesëmarrëse, fillojnë sot fushatën #SellSafe – shitje e sigurt, si pjesë e Veprimit të Tregtisë në rrjet 2021.
Qëllimi i fushatës është të bëjë tregtinë elektronike më të sigurt, duke promovuar metoda të sigurta blerjeje në internet dhe duke ndihmuar tregtarët e rinj të hapin dyqanin e tyre të parë në rrjet, duke shmangur rrezikun e sulmeve kibernetike.
Që nga fillimi i pandemisë, shumë bizneseve iu është dashur të hyjnë në rrjet, për të vazhduar aktivitetet e tyre. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të përdorin shërbimet në rrjet disa herë në periudha të shkurtra dhe gjithnjë e më shume blerjet po kryhen në këtë formë, gjë ka rritur mundësinë e sulmeve nga kriminelet kibernetike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që për çdo informacion që do t’iu nevojitet, problematikë apo denoncim të kontaktojnë Njësinë e Hetimit të Krimeve Kibernetike në adresën e postës elektronike: [email protected], në numrin e telefonit 0694155552, si dhe në aplikacionet Whatsapp, viber etj.
Çdo rast i mashtrimeve gjatë blerjeve në rrjet do të ndiqet profesionalisht, duke iu garantuar një reagim të shpejtë nga Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike.