Mijëra qytetarë dhe besimtarë u skandalizuan pas lajmit se një vajzë me shami, e cila i përkiste besimit musliman, iu refuzua vendi i punës, në një kompani të madhe shqiptare, për shkak të besimit. Përveç qytetarëve të thjeshtë në këtë reagim ndaj kësaj situate u bashkuan edhe individë dhe klerikë me mjaft ndikim në komunitet. Kjo bëri që lajmi të merrte dhenë në rrjetet sociale dhe reagimet të ishin mjaft të ashpra dhe të drejta nëse ai lajm do të ishte ashtu siç u servir.
Por me iniciativën e psikologes së njohur Edlira Durmishaj, u bë e mundur ulja dhe ballafaqimi i palëve “në konflikt”. Deputeti dhe pronari i kompanisë e cila pretendohej se kishte refuzuar vajzën, Vullnet Sinaj, deputeti Florenc Spaho, Imami Ahmet Kalaja, përfqësues të shoqërisë civile, avokatë e menaxherë të kompanisë diskutuan me vajzën në lidhje me incidentin e ndodhur.
Vajza ka treguar se fillimisht ka komunikuar me menaxherin e kompanisë në qytetin e Shkodrës, i cili pas intervistës e ka pranuar vajzën në punë. Pas kësaj vajza ka patur 2 kërkesa për shkak të besimit të saj. Në njërën prej kërkesave ishte edhe krijimi i mundësisë së faljes së saj në një prej ambienteve të biznesit. Kjo kërkesë është refuzuar nga menaxheri, por i ka dhënë mundësinë vajzës që në orarin e faljeve të mund të largohej nga vendi i punës dhe gjatë orarit të punës 2-3 herë në ditë, duke qenë së xhamia ishte afër.
Deri në këtë moment çdo gjë ka patur dakordësinë e të dyja palëve. Keqkuptimi ka ndodhur pas një telefonate që menaxheri ka kryer me vajzën. Në këtë telefonatë ai i ka thënë vajzës të paraqitet në punë, por kërkesën e saj për vend falje nuk mund ta plotësonte. Kjo gjë është keqkuptuar nga vajza, e cila e ka marrë këtë mesazh si refuzim të kryerjes së riteve të saj fetare, çka ka bërë që ajo të dërgojë ankesën e saj tëk zyra e Diskriminimit. Dhe pastaj historia dihet si shkoi.
Pas bisedës së hapur dhe të sinqertë, u dakordësua që rasti i Elsës ishte një keqkuptim lokal dhe ajo ka përherë dyert e hapura për të punuar në Big Market, me meritë dhe liri të plotë për të ushtruar të drejtat e saj si besimtare dhe si punonjëse.
Përfaqësues të lartë të kompanisë, pasi shtrënguan duart e bashkëpunimit dhe përzemërsisë me Elsën, dhe të gjithë të pranishmit, premtuan promovim në shkallët më të larta profesionale për Elsën, duke i lënë asaj hapësirë të zgjedhë çfarëdo që ajo dëshiron si pozicion professional.
Rasti Elsa krijoi një reagim publik, i cili u bë viral dhe risolli në vëmendje debatin mbi islamofobinë i cili është bërë gjithnjë e më shumë një temë e ndjeshme në Shqipëri, ku bashkëjetesa fetare spikat si virtyti kolektiv më i larte i vendit. Kjo tregon se njerëzit janë të ndjeshëm ndaj fenomeneve të tilla ku cënohet e drejta e besimit dhe kjo tregon një shkallë emancipimi të shoqërisë tonë. Reagime të tilla bëjnë që kjo shoqëri të përmisohet çdo ditë e më shumë.