Dikur kishte pasion futbollin, por mundësitë për të ndjekur endrrën ishin të pakta. I detyruar edhe nga sistemi i kohës edhe nga pamundësia ekonomike, Muhamet Kacollja zgjodhi profesionin e këpucarit. Prej 50 vitesh ai ushtron këtë profesion në punishten e tij të vogël në qytetin e Elbasanit.
“Po bëj 5 vite që e kam filluar kjëtë zanat që nga viti 1972 dhe gjatë gjithë kësaj kohë kam punuar në riparim, pas asaj mbarova shkollën e mesme dhe kam filluar në kurs porosie, nga aty ika në kurs specializimi 9-mujor. Pastaj ika te kafe Flora në kurs për modelist dhe kam punuar te porosia deri në vitin 1991. Pas ’91 kemi dalë privat, ishim një grup këtu, tani jam vetëm”, tha për Euronews Albania, këpucari Muhamet Kacollja.
Zanati që ai zgjodhi, në ditët e sotme nuk preferohet më. Për Muhametin është e dhimbshme kur mendon se këtë profesion nuk mund t’ja trashëgojë brezave.
“Po dua të ketë, ose kurse dhe specializime. Se përveç zanatit që mund të provojnë kështu në dyqane, do kenë edhe fabrikat nevojë që mund të hapet një fabikë këpucësh që duhet të mësojë diçka edhe ai. Është e vështirë sepse edhe të rinjtë tani nuk kanë më kërkesa me këtë lloj zanati”, tha Muhamet Kacollja.
Përpos rregullimit të këpucëve, dikur bënte edhe këpucë të reja, por me rënien e kërkesës, Muhameti e ndërpreu prodhimin.
“Kur kemi ardhur në fillim këtu bënim këpucë të reja, bënim edh epër të shitur edhe me porosi. Tani nuk ka kërkesa, çmimet që të bësh një palë me porosai janë rritur edhe kur vjen vetëm një herë në vit me porosi, nuk ka leverdi. Kur dolëm këtu ne ishin 2500, 3000 lekë një palë këpucë të mira tani janë 7000”, tha këpucari.
Muhametin e gjejmë edhe sot në karrigen e tij, të ulur pranë veglave të punës që ka pasur që prej fillimit të profesionit. Pa përtesë vazhdon të presi porosi dhe të plotësojë kërkesat e klientëve.