Andre Ljuljovic është shqiptaro-amerikani i parë që ka humbur jetën nga koronavirusi në SHBA. Djali i emigrantëve shqiptarë ishte i ri në moshë dhe jo më larg se tetori i vitit të kaluar kishte bërë dasmën me Janet Gazivoda.
Lajmi i botuar në gazetën “Illyria” në New York, shënon jo vetëm rastin e parë të vdekjes në komunitet po edhe një shembull se sëmundja nga ky virus po godet edhe mosha të reja.
Përveç familjarëve dhe miqve, Andre po vajtohet nga mbarë komuniteti i shkollës së mesme, në Archbishop Stepinac, në White Plains, ku e kanë njohur si nxënës e si atlet të fuqishëm në ekipin e futbollit të shkollës.
Shumë miq të tij janë shokuar nga humbja e papritur dhe po e kujtojnë në rrjetet sociale në internet.
Westchester, zona ku ndodhet White Plains, ka qenë një nga vatrat e para kryesore të përhapjes së koronavirusit, në New York.