Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohet për një seri vjedhjesh në urgjencën e QSUT-së.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Arion Gjergo, i cili shitrej si pacient dhe duke përfituar nga urgjencat mjekësore, kryente vjedhje të sendeve personale të pacientëve, që shkonin për të marrë mjekim dhe për të kryer vizita mjekësore.
Arrestimi i 38-vjeçarit u bë teksa ishte duke vjedhur një shumë parash në automjetin në pronësi të shtetasit R. Rr., në ambientet e spitalit QSUT, i cili kishte shkuar për vizitë mjekësore.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 milion lekë të rinj, një orë dore dhe një çakmak.
Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Pacienti”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4.
Vihet në pranga 38-vjeçari, për një seri vjedhjesh të pacientëve në urgjencën e QSUT-së.
38-vjeçari shtirej si pacient dhe duke përfituar nga urgjencat mjekësore, kryente vjedhje të sendeve personale të pacientëve, që shkonin për të marrë mjekim dhe për të kryer vizita mjekësore.
Zbardhen dhe dokumentohen edhe disa raste të tjera të vjedhjeve të kryera nga ky shtetas.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 milion lekë të rinj, një orë dore dhe një çakmak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pacienti”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:
A. Gj., 38 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Ky shtetas, është kapur në flagrancë duke vjedhur një shumë parash në automjetin në pronësi të shtetasit R. Rr., në ambientet e spitalit QSUT, i cili kishte shkuar për vizitë mjekësore.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, duke u shtirur si pacient në QSUT, përfitonte nga rastet e urgjencave mjekësore dhe vidhte sende të personave që shkonin për mjekim në spital.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se shtetasi A. Gj. është autor i disa rasteve të vjedhjeve të ndryshme, të ndodhura kohët e fundit, në ambientet e QSUT-së dhe në rrugën e Dibrës.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.