Nga Bardhul Toda
Muaji mars sapo iku, dhe një nga porositë e lëna për muajin pasardhës është ende kujdesi ndaj shoqërisë, në mbrojtje maksimale nga Covid-19. Prej më shumë se tri javësh, masat shtrënguese, të marra në mbrojtje të jetëve njerëzore, diktuan rregulla dhe kushtëzime të reja në mënyrën e organizmit të punës, dhe atë të jetesës familjare.
Në këto rrethana, një nga kategoritë shoqërore, shtresat në nevojë dhe pensionistët, u gjendën në një përballje jo të zakontë, përballje e cila, për më tepër pensionistëve u ndaloi daljen nga shtëpia, për çdo nevojë, qoftë ajo dhe më minimalja.
Në këtë luftë, edhe pse nuk ndihet zhurma e mjeteve motorike, nuk ndihet asnjë zhurmë e avionëve luftarakë, nuk ka të shtëna armësh dhe gjëmime mortajash, rreziku për jetën është shumë herë më i madh sesa të gjitha armët njëherësh, të ishin në përdorim.
Lufta vazhdon, ndërsa humanizmi dhe përgjegjësia për të ndihmuar jetë, për të lehtësuar jetesën e njerëzve në nevojë dhe për të dalë të gjithë fitimtarë ka marrë një përmasë guximi dhe sakrifice të cilën nuk ngurroj ta quaj heroike.
Në këtë përballje me rrezikun është edhe grupi që punon çdo ditë në qytetin e Elbasanit. Për tri javë rresht, deri më sot, ata nuk kanë reshtur së punuari në terren, në mbështetje të familjeve në nevojë duke u dërguar ushqime, sikundër, derë më derë, ata shërbejnë me zell për çdo familje pensionistësh, të cilët nuk kanë mundësi tjetër shërbimi për nevojat e tyre jetike. Orari për ta është gjëja e fundit në planin e tyre ditor, dhe ky orar mbaron kur ata të qetë edhe pse të lodhur kanë tejkaluar synimin ditor të shërbimit ndaj qytetarëve elbasanas.
Edhe pse shifrat numerike në Elbasan janë të ulëta, krahasuar me qytete të tjera si Tirana dhe Durrësi, rreziku në çdo hap është i pranishëm, sikur të ecësh mbi një zonë të minuar.
Këtë rrezik, këta nismëtarë të devotshëm e kanë shpërfillur. Në ndërgjegjen e tyre rinore, në sedrën njerëzore që i karakterizon, ata kanë vetëm një synim, të shërbejnë sa më shumë gjatë një dite, gjatë një jave dhe… deri në fund të luftës.
Asnjë çast ata nuk kanë kërkuar lavdet e punës së tyre që ka përmasat e larta të heroizmit njerëzor. Në këtë luftë ndryshe, në këtë luftë të heshtur nga zhurmat dhe shumë më të rrezikshme se shpërthimet e armëve të zjarrit, ata janë të kudondodhur.
Me modestinë e tyre fisnike, ata ngopen nga mirësjellja dhe falënderimet e qytetarëve dhe po me kaq fisnikëri, të heshtur për veten, nuk lënë pa falënderuar me shumë entuziazëm të gjithë ata biznese apo individë që me mundësitë e tyre të ndryshme i mbështesin në mbarëvajtjen e çdo dite të re, të çdo dite, që më shumë se vlera e ushqimeve që ata ndajnë, flet me madhështi për veprimin e tyre të rrallë, të admirueshëm, për të cilin nuk ka fjalë për të plotësuar me falënderime dhe mirënjohje.
Heronjtë tanë janë Alban Shingjergji, Sara, Klevisi, Erisi, Aldriti, Aurelio, Xhonatani dhe Gersi, të cilët në çdo hap dhe në çdo portë, duke fshehur lodhjen, përhapin optimizmin: Ne do t’ia dalim!
Në ndërgjegjen time, i falënderoj me përulje këta heronj të heshtur, heronjtë e luftës së heshtur në sipërfaqe, por me rrezik gjëmues!
Ju lumtë të gjithëve, bashkëqytetarët tanë të rinj në moshë, por shumë të përgjegjshëm për shoqërinë! Ju jeni më shumë se një thesar!