Grida Duma vendosi të japë dorëheqjen si nënkryetare e PD-së këtë të mërkurë, pas Agron Gjekmarkajt dhe Flutura Açkës. Ajo shprehet se ky është një vendim i domosdoshëm për demokratët.
Grida me fjalë të ashpra ndaj kryedemokratit Lulzim Basha tha se ai përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputetët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike.
“Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimmarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domosdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë”, tha Duma .
Postimi i plotë:
Partia Demokaratike e Shqipërisë është në ditët më të vështira, traumat e humbjeve të njëpasnjëshme nuk po rikuperohen sepse Lulzim Basha i përdor dhe negocion që dështimet e Partisë Demokratike t’i kthehen në fitime të tij.
Pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi me maturi politike të ndërmarrë akte të përgjegjshme dhe të kapë dorëheqjen, Lulzim Basha përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike.
Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimarrje për shpëtimin e demokratëve të salrifikuar një dekadë. Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domsdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!
Agron Gjekmarkaj ishte i pari qe ndërmori mes demokratëve aktin politik të dorëheqjes, duke i rikthyer postet partiake qe Lulzim Basha i dha.
Ferdinand Xhaferraj dhe Ervin Salianji qëndrimin e mbajtur në grup e bënë publik edhe në rrjetet sociale. Kërkohet largimi i Bashës dhe një lider i ri politik brenda grupit parlamentar.
Revolta ndaj lidershipit demokrat ka prodhuar një lëvizje të re brenda PD për largimin e Lulzim Bashës.
Zëra brenda grupit parlamentar janë me moton; Të dy larg PD, si Basha dhe Berisha.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.
Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.
Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.
Top Channel