Gratë, fuqia për ndërtimin e paqes. WCDCA promovon perspektivën gjinore në cështjet e paqes dhe  sigurisë në nivel vendor.

Gratë kanë një rol të padiskutueshëm dhe potencial të madh në ndërtimin e paqes. Është ky një ndër mesazhet kryesore që u dhanë gjatë konferencës “Forcimi i rolit të grave në ndërtimin e paqes dhe zbatimi i rezolutës 1325. Praktikat dhe sfidat për perspektiva më të mira rajonale”, që u organizua sot nga Woman Center for Development and Culture Albania (WCDCA), në kuadër të fazës së dytë të projektit: “Një Qasje e Integruar për të Promovuar Gratë dhe të Rinjtë Paqendërtues në Shqipëri” zbatuar në 15 Bashki të Shqipërisë mbështetur nga ICAN dhe IPF.

Eventi përkon me 22 vjetorin e miratimit të rezolutës miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Rezoluta 1325 në vitin 2000. 22 vjetori i Rezolutës 1325 e gjen WCDCA në angazhim të vazhdueshëm për fuqizimin e grave përmes aktiviteteve dhe ngritjes së kapaciteteve të anëtarëve të Rrjetit të Grave Paqendërtuese përmes Trajnimeve ToT, duke zgjeruar mbulimin e zones gjeografike të projektit në bashkitë e tjera të reja për ngritjen e vetëdijes për gratë dhe të rinjtë për paqe dhe sigurinë.

Konferenca u përshëndet nga Znj. Rudina Çollaku, Presidente e WCDCA, Znj.Mobina SB Jaffer Senatore në Senatin e Kanadasë për British Columbiane njëkohësisht dhe Anëtare e Bordit të ICAN dhe Z. Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women në Shqipëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse, zoti Ribotta ftoi të vazhdohen përpjekjet në ndërtimin e kapaciteteve të rinisë, duke risjellë në fokus potencialin e tyre dhe risitë që sjellin ato në procesin e politikbërjes.

E ftuar në konferencë ishte edhe zonja Arta Dade, ish Ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e cila tërhoqi vëmendjen ndaj rritjes së kerkesave të grave për ngritjen e kapaciteteve te tyre dhe lobimin e suksesshëm për një përfaqësi të denjë në pozicionet që ato meritojnë, duke risjellë në vëmendje sfidat që hasen, të cilat padyshim nuk janë të lehta por jo të pamundura për tu kapërcyer.

Konferenca u mbyll me ceremonine e shperndarjes se certifikatave per specialistet e bashkive pjese te programit Trainer of Trainer per Rezoluten 1325.