Një çift shqiptarësh në Teksas kanë marrë vëmendjen e mediave më prestigjioze amerikane, pasi i kanë ardhur në ndihmë komunitetit të tyre në një kohë të vështirë kur stuhi të fuqishme dëbore kanë lënë pa ujë e drita dhe kanë bllokuar familje të tëra. Bashkëpronarët e restorantit Bella Italia në Plano, Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca, nuk mund ta shihnin komunitetin e tyre të vuante dhe vendosën të gatuanin disa vakte të ngrohta për më shumë se 500 njerëz.
Isufaj tha për Fox News ditën e djeshme se klientët besnikë e mbajtën në këmbë restorantin gjatë pandemisë dhe ai donte t’u kthente nderin. “Ne filluam të afroheshim më shumë me klientët tanë pasi COVID goditi vendin. [Ata] vërtet na mbështetën jashtëzakonisht shumë”, tha Isufaj për programin “Fox & Friends Weekend”.
Kur Plano u godit nga stuhia e dëborës, shumë familje mbetën pa energji elektrike. Isufaj dhe Shurreca donin të siguroheshin se mund të kishin ushqim të ngrohtë për vete. Duke qenë se si shumë të tjerë nuk kishin energji elektrike në shtëpi, shkuan në restorant për të gatuar për veten dhe më pas vendosën të bënin të njëjtën gjë për të gjithë të tjerët.