Daniel Doci është 17 vjeçari që ka pasion teknologjinë. Ideja për të krijuar stimuluesin virtual, Danielit i lindi pasi një i afërmi i tij pësoi një aksident gjatë kohës që ishte duke mësuar makinën në autoshkollë. “Mendova ta kthejmë procesin e mësimit të makinës në virtualizim dhe më lindi ideja e makinës. Ulesh tek makina dhe vendos një “realitet virtual ecje” dhe pasi e vendos je në një ambient ku mund t’i japësh makinës. Pra ke gazin, frenën, freksionet, marshet, timonin e të gjitha. Në këtë mënyrë është sikur po i jep një makine të vërtetë, por nuk është një makinë e vërtetë”,- shprehet Danieli për Gen Z në Euronews Albania.
Pasioni i tij për teknologjinë filloi në moshën 10 vjeçare, sapo mori kompjuterin e tij të parë dhe e ndërtoi në mënyrën e tij. “Sapo e mora kompjuterin e parë fillova të ekperimetoja me të, t’i ndërroja pjesët, ta ndërtoja sipas kushteve të mia dhe mësova shumë nga kjo. Kur erdha në vit të parë krijova makinën dhe një stimulues të realitetit virtual. Në vitin e dytë krijova një skaner 3D që skanonte pjesën e fytyrës dhe printonte pjesë sipas strukturës së fytyrës”,- thotë Danieli.
Qëllimi i tij është që të përdorë teknologjinë në funksion të së ardhmes. “Qëllimi im kryesor është që njohuritë e mia teknologjike të arrijnë maksimumin, pra që të përdor teknologjinë për të ardhmen. Një mesazh që do i thoja dhe vetes është që të eksperimentosh në sa më shumë fusha, derisa të gjesh atë fushën që ty të pëlqen me të vërtetë”,- shprehet 17 vjeçari.
Autori i revistës “Who”, Eraldo Rexho, e provoi stimuluesin që ka krijuar Danieli dhe u shpreh se do ta blinte nëse do të dilte në treg.
“Unë jam një njeri që nuk e kam të mirë raportin me kohën dhe mendoj që kjo pajisje do më jepte mundësinë që sa herë kam kohë të lirë të ushtrohesha, pasi te autoshkolla ke një orar fiks, por unë nuk e kam këtë kohë. Nëse Danieli do e patentonte dhe do e shiste, unë do e blija”,- thotë gazetari Eraldo Rexho për Gen Z.