Largimi i Nevil Dedes nga posti i trajnerit ka vënë në lëvizje klubin e Elbasanit. Verdheblutë janë në kërkim të një trajneri të ri që do të drejtojë ekipin në fazën përgatitore para nisjes së sezonit të ri në Superiore.
Emrat e lojtarëve në hyrje kanë qenë dhe janë me mjaft eksperiencë ndaj edhe trajneri pritet të jetë i këtij niveli. Drejtuesit kishin piketuar 3 emra konkretë që janë Giovanni Colella, Diego Longo dhe Serse Cosmi për stolin.
Të tre trajnerë italiane me dy të parët që kanë qenë protagonistë në kampionatin shqiptar. Colella fitoi titullin kampion me Partizanin, ndërsa Longo drejtoi disa skuadra. Cosmi është emri më i bujshëm me 66-vjeçarin që ka një CV të pasur në Itali ku ka drejtuar edhe Peruggian në Serie A, ndërsa së fundmi Rijekën në Kroaci.
Të tre emrat janë duke u studiuar nga kryesia verdheblu dhe kanë dalë me vendimin që Diego Longo është emri i duhur. Ish-trajneri i Kukësit, Teutës e Flamurtarit pritet të rikthehet në Superiore e të firmosë me Elbasanin. Kontrata është gati dhe ajo që mbetet është vetëm zyrtarizimi i klubit.