Elbasani, asete të çmuara për joshjen e turistëve vendas dhe të huaj. Pikat kryesore turistike

Historia, trashëgimia kulturore dhe bukuritë natyrore janë asetet kryesore të qytetit të Elbasanit në zhvillimin e turizmit.

“Busheku”, “Labinoti Fushë”, “Krasta e Madhe”, “Llixha”, Funari e Gjinari, fshehin perla për vizitorët, që të shoqëruara me histori dhe legjenda shumë shekullore, janë origjinale në specifikat e tyre. Janë këto edhe shumë arsye të tjera që Elbasani është një nga qytetet më të preferuar për turistët e huaj.

“Elbasani po shihet si një destinacion për të zgjatur kohën e turistëve, jo vetëm në bregdet.

Ecja në natyrë në zonat malore siç është Gjinari, është një nga atraksionet të cilat Elbasani i ofron. Në Funar pranë liqeneve po hapim shtigjet për ecje si edhe për hedhjen me parashutë”, pohoi kryetari i bashkisë Gledian Llatja.

Sipas tij, Elbasani ka resurse të shumta që mund t’i joshin turistët për ta vizituar.

Përveç pasurisë së çmuar të trashëgimisë kulturore, zbulimi i mozaikut në qendër të qytetit, jo shumë larg mureve rrethuese të Kalasë së lashtë i ka dhënë së fundi një hov turizmit kulturor në Elbasan, qytet që ofron pasuri historike e kulturore, qendra arkeologjike, objekte historike, Muzeun etnografik, objektet e kultit, banesat karakteristike qytetare elbasanase, etj”.

Elbasani ka shumë pika turistike dhe historike, që çdo turist nuk duhet t’i humabsë pa i vizituar.

Krasta e Madhe, një park turistik

Nga kryqëzimi i shinave të trenit deri në pllajën sipër Kodrës së Krastës së Madhe, tashmë rruga është e asfaltuar me dy kalime me trotuar dhe ndriçim përkatës.

Zona e pyllëzuar ndodhet 1,5 km në lindje të qytetit te Elbasanit dhe është pyllëzuar gjatë periudhës 1959-1969 me pishë të egër dhe të butë. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, janë mbjellë me pisha dhe pemë dekorative në Krastë, duke shtuar kështu pyllëzimin në këtë kodrinë që natyra i ka falur Elbasanit.

Llixhat dhe Tregani turistik

Ndërtuar mes kodrave dushkore e pishave të buta, me rrugë automobilistike, me një liqen të madh artificial pas kodrës së Treganit, Llixhat njihen si zona kurative e shumë sëmundjeve, reumatizmale, artroza, sëmundje të sistemit nervor, gjinekologjik, enëve të gjakut, aparatit tretës, etj. Qe nga koha kur te paret njohën vlerat kurative të këtij uji që del i nxehtë nga malet, nevoja për të ka ardhur deri në ditët tona ku, sasitë e ujit nuk kanë shteruar kurrë. Ekzistente prej 5 shekujsh, vetëm në shekullin e XX-të mund të thuhet se shfrytëzimi kurativ i zonës nisi të hyjë në rrugën e shkencës mjekësore. Njihen vitet 1910- 1915 kur specialistët austriakë, të cilët erdhën pas ushtrive pushtuese të vendit, themeluan këtë qendër kurative dhe turistike. Hotele të shumtë si edhe infrastrukturë bashkëkohore, e bëjnë që Llixha të jetë një nga zonat kurative më të njohura në vend por edhe në rajon. Edhe në Llixha, janë kryer investime të shumta në infrastrukturë, si edhe parqe për pacientët, duke e bërë këtë zonë një nga më të preferuarat për turistët.

Rrugëtim turistik edhe përgjatë Via Egnatia-s

Itinerari përgjatë rrugës Egnatia, kalatë, stacioni “Ad Kuintum”, jeta e trevës në periudhën e bronzit të hershëm, është një tjetër pikë pika interesante turistike. Ato vijojnë me monumentet paleokristiane, bazilikat, objektet e kultit musliman, e të krishterë, veçanërisht në kisha ku pikturoi Onufri në shekullin e XVI. E teksa përshkon tërë këto pika turistike dhe arkeologjike në qendër të qytetit, ngrihet madhështore Kalaja.

Funari, perla turistike me katër liqene

Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit ndodhet një nga perlat turistike thuajse të pashkelura të qytetit të Elbasanit. Janë të paktë ata që e njohin Funarin, i cili ka nën administrimin e tij 17 fshatra dhe rrethohet nga 7 male dhe përshkohet nga tre përrenj, Zaranika, Kusha dhe Zalli i Korrës. Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.

Lumi Shkumbin, preferencë e qytetarëve

Lumi Shkumbin, ndodhet vetëm 20 km larg qytetit të Elbasanit. Pushues të shumtë jo vetëm nga Elbasani, por edhe Librazhdi, si dhe fshatrat përreth tij, kanë shumë vjet që preferojnë të bëjnë plazh dhe të marrin rreze dielli nën rrapat e lumit që ndodhen kudo. Tashmë në lumin Shkumbin mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Qarkun e Elbasanit në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës. Ofrimi i alternativave të ndryshme të argëtimit i ka dhënë një tjetër fluks zhvillimit të turizmit në Elbasan, ndërsa sportet e ujit janë mënyra më e bukur për të kaluar fundjavat verore.

Gjinari piktoresk, malor dhe turistik

Gjinari piktoresk, me malin e Bukanikut, ku dëbora shkrin në muajin korrik, është një tjetër vend malor turistik. Të shumtë janë turistët të cilët shijojnë në çdo stinë freskinë alpine të maleve të Bukanikut, që nuk janë më tepër se 25 kilometra larg Elbasanit .

Gjinari turistik, me shumë kala dhe dhe monumente të shumta kulturore mes tyre “ Dushkun e Lleshanit”, Varri i Kostandin Shpatarakut, fragmente të rrugëve të vjetra me kalldrëm, etj. Bukuri që tashmë janë shkelur nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Mali i Bukanikut, restorantet si edhe bujtinat e ndërtuara së fundi në këtë zonë turistike, e kanë kthyer Gjinarin në një nga atraksionet turistike më të kërkuara në vend. Gjinari cilësohet si një nga pikat më të preferuara të Elbasanit dhe kjo vërehet edhe gjatë ditëve të javës kur bujtinat apo restorantet e zonës janë plot me turistë.

E veçanta e Gjinarit është se ofron një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër.

Busheku, pasuri e çmuar natyrore

Busheku, me qendër Shushicën, e cila ndodhet vetëm 9 kilometra larg Elbasanit. Emri vjen nga fjala “shushullimë” që siç rrëfejnë banorët lidhet me “shushullimën e ujit, apo zogjve”. Këtu ndodhet edhe Busheku, me rrapet shekullore me burimin në qendër të tij, si edhe shumë lokale që të ofrojnë ushqime bio dhe tradicionale të zonës. Kjo zonë njihet për tradita dhe tolerancë mes kulturave dhe feve të ndryshme. Busheku është një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. Kjo pikë ndodhet në fshatin Shushicë të komunës me të njëjtin emër, rreth 9 km larg qytetit të Elbasanit. Vendasit e quajnë veten me fat që natyra u ka dhuruar një pasuri kaq të çmuar natyrore.

Miranda Sadiku