E hapur rreth 20 vite më parë në Elbasan, nga viti në vit, Qendra Sociale Balashe, përcjell suksese dhe shërbime cilësore. Një qendër ditore për të moshuar dhe personat me aftësi të kufizuar, Qendra Sociale Balashe në Elbasan, është një ent publik me karakter socio – sanitar e ideuar nga Bashkia Elbasan dhe e realizuar nga OJF italiane në vitet 2000-2002. Këtë vit, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja ka premtuar se do të kryejë një rikonstruksion total Qendrës Sociale Balashe, duke i ofruar kushte sa më optimale vizitorëve të saj. Qëllimi i kësaj qendre është përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve të Elbasanit, ku një vëmendje të veçantë i kushtohet kategorive në vështirësi sociale. Kjo qendër ofron shërbime ditore për 45 persona të moshuar në nevojë, për 25 të rinj e të reja të moshës 18 -50 vjeç dhe 10 fwmijë me aftësi të kufizuar të moshës 5 -15 vjeç.
Gjatë viteve të fundit qendra ofron terapi punësimi për të rinjtë me Aftësi të Kufizuar nga mosha 18 – 35 në laboratorët e saj. Për të ofruar sa më shumë kushte argëtuese, veç dy laboratorëve ku kryhen terapitë, në qendër realizohet edhe ergoterapia, ku personat angazhohen me punime në serën e perimeve, në serën e luleve si edhe në kopshtin zoo dhe ambjentet për pastrim përreth qendrës. Qendra u ofron përkujdesje terapeutike, edukative dhe pedagogjike fëmijëve me aftësi të kufizuar fiziko – mendore nga mosha 5 -15 vjeç. Një i moshuar i cili frekuenton çdo ditë qendrën, ndihet i lumtur, por më së shumti gjen veten në këtë qendër.
“E kaloj mirë ditën, nuk më duket e gjatë dhe fare e sikletshme, vij çdo ditë këtu në qendër, edhe kur nuk mundem, punonjëset e shërbimit vijnë e më marrin në shtëpi”, thotë frekuentuesi i kësaj qendre ditore. Madje kur e pyet se si e kalon kohën ai shprehet se “kemi një sërë aktivitetesh në qendër, si lojra argëtuese bashkë me shokët e mi që kam zënë këtu luajmë edhe domino, tavëll, bëjmë leximin e përditshëm të gazetës nga edukatorët përkatës. Por nuk mjaftojmë me kaq, ne kryejmë edhe shumë eskurisone, si brenda dhe jashtë qytetit, ku shpesh na shoqërojnë nxënës të shkollave të mesme por edhe studentë, një bashkëpunim i kahershëm me qendrën”.
Ata janë të gjithë miq me njëri-tjetrin, madje nëse dikush mungon miqtë mes njëri-tjetrit nisin të bëhen merak, çka bën që edukatoret e qendrës të interesohen, dhe të kujdesen për vizitorin e tyre. Shërbimet në qendrën Balashe ndahen në shërbime që ofrohen në qendër dhe shërbime që ofrohen në shtëpi. Ata shoqërohen nga edukatorët socialë që punojnë me të moshuarit dhe Laborantët që punojnë me të rinjtë me aftësi te kufizuar. Puna e tyre ecën në bazë të një programi javor dhe mujor, por duke ju përshtatur dhe problemeve që mund të lindin gjatë ditës. Në qendër është edhe mensa e cila ofron vaktin e drekës ku 30 të rinj e të reja, si edhe 40 të moshuar akomodohen në mensë, ndërsa për 40 të tjera dreka ofrohet në shtëpi. Për vizitorët e qendrës ofrohet edhe fizioterapia, asistenca e infermierit, shërbimi psiko -social, si edhe transporti.
Përsa i përket sektorit që i ofrohet fëmijëve me aftësi të kufizuar fiziko – mendor qendra ka si qëllim që të propozojë dhe të sigurojë marrjen në ngarkim, përkujdesje të fëmijëve dhe adoleshentëve nga mosha 5-15 vjeç. Kjo përkujdesje sigurohet nga një ekip edukativ i formuar në fushën e Aftësisë së Kufizuar. E ka thyer në traditë tashmë, që vetë kryetari i bashkisë të shkojë të vizitojë qendrën dhe të konsumojë një çaj me të moshuarit dhe të akomoduarit ditorë të kësaj qendre. Madje në raste të veçanta edhe deputetë e Ministra të shoqëruar nga Gledian Llatja kanë gatuar dhe shërbyer për të moshuarit e qendrës, duke i dhënë një kënaqësi të veçantë.
Qendra ka si qëllim të sigurojë pritjen e personit, të favorizojë autonominë dhe mirëqenien e tij, të zhvillojë mënyrat e komunikimit, të mbështesë familjet e personave me AK, si edhe të sensibilizojë komunitetin e ngushtë dhe me gjerë në lidhje me këtë kategori personash. Momente më të rëndësishme të stafit të kualifikuar të qendrës janë që fëmijët të përparojnë në kompetencat e tyre të komunikimit në një klimë të sigurtë.
Aktivitetet pedagogjike, në funksion të fakulteteve intelektuale, fizike, në funksion të ritmit të çdo fëmije, kanë si objektiv përvetësimin progresiv të autonomisë dhe shoqërizimit.
Ekipi i kushton një vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve me prindërit, duke i njohur dhe pranuar ata, në rolin e tyre si njohësit më të mirë të fëmijës së tyre. Në ofrimin e çdo shërbimi është pasur kujdes që të ofrojë dhe të zhvillojë një funksion socialo-edukativ mbi çdo individ në veçanti, si dhe synon të rekuperojë aftësitë fizike dhe intelektuale për përmirësimin e nivelit të bashkëpunimit dhe të përfshirjes në shoqëri.