Një 31-vjeçar i kërkuar për pastrim parash është arrestuar në Elbasan. Të riut i është sekuestruar pasuri me vlerë 136 mijë euro që dyshohet se i ka vënë përmes veprimtarisë kriminale.
Konkretisht, i është sekuestruar një apartament në Durrës dhe 3 makina. Ndaj 31-vjeçarit, Marsel Arani, Gjykata e Elbasanit, me datë 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po ashtu, i riu rezulton një person me precedent të mëparshëm penal, pasi ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.
“Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Resource”.
Si rezultat i operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi M. A., 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./shqiptarja.com