Tuesday , June 24 2025

Elbasan/ Gjendet një trup i pajetë, nuk dihen ende shkaqet.

Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar lokal. Policia ka rrethuar zonën dhe po punon për nxjerrjen e kufomës. Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar, i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet.
Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave. Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.

Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Policia është në fazën fillestare të hetimeve dhe i bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur, të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.