Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së zbuloi një detaj shqetësues në rritjen shifrave të infektimeve në dy javët e fundit në vend. Një situatë epidemiologjike që ka detyruar komitetin e ekspertëve të vendosë të mbajë të mbyllura universitetet që do vazhdojnë të zhvillojnë mësim online. Sipas Binos, është vënë re një rritje e infektimeve në grupmoshën 15-24 vjeç, pra tek të rinjtë.
“Grupmoshë kjo që ka pasur një qendrueshmëri gjatë gjithë kohës e vihet re kjo rritje në javët e fundit, se gjatë gjithë kohës së COVID në nuk kemi pasur rritje të theksuara në këtë grupmoshë. Rritje kjo, krahas rritjes që vëmë re në grupmoshat e tjera. Kjo ndoshta lidhet me shumë faktorë, e grumbullimet për festa por që na kërkon të kem sa më shumë kujdes se është grupmoshë që frekuenton dhe universitetet e shkollat e mesme. Këto masa shpresoj që do ndikojnë që të kemi atë qëndrueshmëri që kishim dhe më parë”, tha Bino.
Sa i përket variantit të ri të virusit që është identifikuar në Bitani të Madhe fillimisht e disa shtete të tjera, Bino bëri me dije se janë gjurmuar raste për të cilat ka pasur edhe indikacion epidemiologjik por që s’kanë rezultuar me këtë lloj varianti. Ndërkohë, e pyetur nga gazetarët se a do jetë i efektshëm vendimi për mbajtjen e universiteteve të mbyllura ndërkohë që lokalet janë plot, ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se situata është dinamike dhe javën tjetër mund të ketë një vlerësim të vendimit.
“Besoj me shumë të dhëna shkencore të bazuara për këtë vendim them që ky vendim sa i përket universiteteve e mësimit online vjen bazuar nga disa të dhëna epidemiologjike që drejton vëmendjen në numrin e rasteve të reja në grupmoshën e re. Do të thotë që kemi një indikacion që na con drejt një vendimmarrje që të kufizojmë përhapjen e virusit në këto grupmosha. Situata është dinamike, vendimet merren në bazë të situatës. Do ketë vlerësim mbi baza dinamike, do jemi këtu në javën e ardhshme për të rivlerësuar çdo vendim që marrim”.
Vaksinimi
E pyetur në çfarë procesi është mbërritja e dozave të tjera të vaksinës anti-Covid, Manastirliu u shpreh se deri tani, Shqipëria është impenjuar për vaksinimin e 800 mijë qytetarëve, nga vaksinat e Pfizer dhe platformës Covax, për të cilën pritet shumë shpejt të mësohet se kur do të mbërrijnë dozat e para.
“Jemi në pritje të vaksinave që priten brenda janarit nga marrëveshja me Pfizer dhe përmes parapagimit që kemi bërë në Covax, javën tjetër do kemi një përgjigje nga partnerët në këtë platformë për të parë e mësuar mbi kohën kur do vijnë dhe dozat e para nga Covax.
Kemi shpresa të mira që edhe nga kjo platformë ku kemi paguar rreth 4 mln dollarë, e ku jemi impenjuar për të vaksinuar vetëm përmes Covax mbi 500 mijë qytetarë, të jemi në pritje të të mësuarit se kur do mbërrijnë vaksinat.
vNga ana tjetër janë 500 mijë doza që priten në total nga Pfizer. Deri më tani Shqipëria është impenjuar për vaksinimin e 800 mijë qytetarëve e vijojnë përpjekjet për marrëveshje bilaterale për të pasur vaksina në një kohë sa më shpejt”