Në një reagim zyrtar të shpërndarë për mediat, Dr. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Shqipëri, ka vlerësuar me nota të larta aktin heroik të kryekomisarit të policisë Agim Troci, i cili u plagos rëndë pasi hyri mes flakëve për të shpëtuar jetë njerëzish në Delvinë.
“Në një kohë kur vlerat shpesh relativizohen, shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për modele të vërteta, për figura që frymëzojnë dhe që japin shembullin e shërbimit pa interes dhe të sakrificës pa zhurmë. Agim Troci nuk është vetëm një punonjës i ndershëm i Policisë së Shtetit. Ai është një hero i heshtur që vendosi jetën e tij në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Kjo është më shumë se detyrë – është mision,” u shpreh Dr. Ramkaj.
Duke theksuar rëndësinë e ngritjes së figurave që mishërojnë virtytet më të larta të shoqërisë, Dr. Ramkaj nënvizoi se heroizmi i vërtetë ndodh larg kamerave, në heshtje, në përballje me vdekjen, aty ku mbrohet jeta dhe dinjiteti njerëzor.
“Si Qendër që angazhohemi për paqe, solidaritet dhe bashkëjetesë në shoqërinë shqiptare, ndjejmë detyrimin qytetar dhe moral për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Agim Troçit dhe ndaj gjithë atyre që shërbejnë me nder në heshtje. Shqipëria ka nevojë për më shumë figura të tilla – të heshtura, por të forta në vepra; të thjeshta, por të mëdha në shpirt.”
Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar shpreh gjithashtu lutjet dhe solidaritetin e saj për shërimin e shpejtë të kryekomisarit Troci, si dhe bën thirrje për respekt institucional dhe shoqëror për aktet e tilla, që nuk janë vetëm histori personale, por janë themele morale mbi të cilat ngrihet një shoqëri e fortë dhe me integritet.
“Të mos harrojmë asnjëherë se, ndërsa shumë zgjodhin të heshtin përballë rrezikut, ka ende njerëz që zgjedhin të hyjnë mes flakëve për të shpëtuar jetë. Ata janë frymëzimi ynë,” përfundoi deklaratën e tij Dr. Ramkaj.