“Vërtet nuk e fitova çmimin e madh, por kam vendosur që ato 100 mijë euro t’i shtoj nga vetja ime për të ndërtuar 4 shtëpi për njerëzit në nevojë, 2 shtëpi në Kosovë dhe 2 shtëpi në Shqipëri”. Kështu u shpreh dje Donald Veshaj, në një video të postuar në faqen e tij zyrtare në Instagram, një ditë pas finales së madhe të Big Brother VIP Albania.
Ai nuk e fitoi trofeun, por ka vendosur që mbështetjen e marrë nga populli ta shpërblejë me një mision personal. “100 mijë eurot që do të investoj për shtëpi në formë bamirësia është më e pakta që mund të bëj për njerëzit që më kanë përkrahur. Ftoj edhe Ilirin në këtë nismë”, u shpreh aktori.
Ky lajm u prit shumë mirë nga ndjekësit e vlonjatit, i cili u rendit i dyti në programin më të ndjekur në Shqipëri dhe Kosovë. Të paktën 5 milionë shqiptarë e kanë ndjekur këtë program fantastik si kurrë më parë.
Problemi është se ka edhe nga ata fansa, të cilët e kanë ironizuar Donaldin. Arsyeja është e thjeshtë. Një nga temat më të diskutuara në shtëpi ka qenë një debat i tij me Einxhelin.
Kjo e fundit është ankuar se Donaldi nuk e ka paguar për një projekt në Vizion Plus. Kjo e ka nxitur një fans të shkruajë: “Le t’i japë rrogën Einxhelit një herë, pastaj të shohim”. Epike!