Wednesday , April 2 2025

DIVA 2024/ Sot afati i fundit për deklarimin e të ardhurave personale, fluksi mbingarkoi sistemin një ditë më parë! Gjoba kush nuk e plotëson

Sot, më 1 Prill, është afati i fundit për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave për vitin 2024.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë mbi 144 mijë individë që kanë detyrimin të plotësojnë DIVA-n, dhe bëhet fjalë për të gjithë të punësuarit që kanë pasur rrogë mujore bruto mbi 100 mijë lekë gjatë vitit të shkuar (mbi 1.2 milionë lekë në vit), të dypunësuarit dhe ata që kanë të ardhura deri 50 mijë lekë të patatuara të fituara nga të ardhurat nga qira ditore, Air Bnb apo Booking.

Nga verifikimet paraprake të administratës tatimore, rezultuan rreth 33 milionë euro të ardhura të gjeneruara nga individët nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale META, Youtube dhe Google që duhen të deklarohen te DIVA.

Një ditë më parë, faqja e tatimeve shfaqi probleme dhe nuk mund të aksesohej për shkak të fluksit të lartë të deklaruesve.

Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë. Afati i fundit ishte 31 marsi, por Drejtoria e Tatimeve e shtyu më 1 prill për shkak se e hëna ishte pushim zyrtar nga festa e Fitër Bajramit.