Gjatë diskutimeve të sotme në Parlament, deputeti i Partisë Demokratike nga Elbasani ka propozuar ndryshime në Kodin e Punës për të garantuar të drejtën e besimtarëve myslimanë për të praktikuar lirshëm fenë e tyre. Sipas deputetit, edhe pse liria fetare është një e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta, dispozitat aktuale të Kodit të Punës krijojnë pengesa për praktikimin e detyrimeve fetare, veçanërisht për komunitetin mysliman.
Deputeti ka kërkuar dy ndryshime kryesore në legjislacion:
✅ Krijimin e kushteve për faljen e namazit në ambientet e punës, si në institucionet private ashtu edhe në ato publike.
✅ Mundësinë e faljes së namazit të së premtes (Xhuma), duke lejuar një pushim dyorësh në mesditë, i cili do të ishte i paguar.
Sipas tij, këto ndryshime do të ndihmonin në harmonizimin e legjislacionit shqiptar me të drejtat kushtetuese të lirisë fetare dhe do të garantonin një trajtim të barabartë për të gjithë punonjësit besimtarë.
Propozimi pritet të hapë debat në Kuvend dhe në shoqërinë shqiptare, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do ta mbështesë këtë nismë.