Deputeti Adi Qose në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë vuri theksin te investimet strategjike që prekin drejtpërdrejt zhvillimin infrastrukturor, arsimor, kulturor dhe ekonomik të qytetit të Elbasanit.
Gjatë fjalimit, deputeti e cilësoi buxhetin 2026 si instrument transformues që adreson nevojat thelbësore të qytetarëve dhe avancimin e objektivave kombëtare pa parashikuar rritje të taksave.
Një nga çështjet kryesore të ngritura prej tij ishte ndërtimi i Bypass-it, i cili prej vitesh konsiderohet domosdoshmëri për lehtësimin e flukseve të trafikut dhe përmirësimin e lidhjeve ndërurbane.
“Çështja e Bypass-it — një plagë e hapur prej vitesh — do të marrë zgjidhje brenda vitit 2026. Ky është një zotim që po e çojmë drejt finales,” – deklaroi deputeti Qose, duke e konfirmuar projektin si prioritet emergjent për zhvillimin e qëndrueshëm dhe qarkullimin e lehtësuar jo vetëm të Elbasanit, por edhe të zonave përreth, përfshirë Peqinin, Cërrikun, Librazhdin, Belshin, Gramshin dhe Prrenjasin.
Fokusi i buxhetit te Elbasanit përfshin gjithashtu disa investime me peshë zhvillimore, të cilat sipas deputetit synojnë modernizimin e shërbimeve publike dhe valorizimin e potencialit turistik e ekonomik të qytetit.
Ndër projektet e përmendura, ai renditi:
Investimet në institucionet arsimore kryesore të qytetit, si dhe përmirësimet e infrastrukturës së brendshme pedagogjike, si element i rritjes së standardeve të mësimdhënies;
Ndërhyrjet në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, me impakt te drejtpërdrejtë në shërbimet bazike dhe mirëqenien publike;
Procesin e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit, si pasuri historike me rëndësi për zhvillimin kulturor dhe shndërrimin e saj në qendër të turizmit rajonal;
Vazhdimin e punës për funksionalizimin e Automotoparkut të Elbasanit, një projekt me ndikim në ngritjen e profilit sportiv dhe turistik të qytetit;
Transformimin e zonës industriale të ish Metalurgjikut, si një nismë e orientuar drejt rritjes së punësimit, tërheqjes së investimeve dhe gjenerimit të mundësive të reja ekonomike, veçanërisht për brezin e të rinjve.
“Buxheti nuk është një tufë numrash. Është vizion, ambicie dhe drejtim,” – u shpreh Qose, duke sintetizuar qartë qasjen strategjike të planifikimit financiar, të orientuar nga zhvillimi i qëndrueshëm dhe integrimi europian.
Fjala e tij në Kuvend theksoi përkushtimin për avancimin e projekteve me impakt social dhe ekonomik, duke e pozicionuar atë si një nga mbështetësit aktivë të agjendës zhvillimore për Elbasanin dhe për politikat e zhvillimit rajonal.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.