Biznesmeni Gjergj Luca foli në studion e News24 për denoncimin e tij të bërë pak ditë më parë për bankën “Raiffeisen Bank”, ku tha se “Tallet me mua, po më mban lekët që t’i shfrytëzojë”.
I ftuar në studion e News24, biznesmeni Luca u shpreh se është e turpshme kjo që po ndodh me këtë bankë, ndërsa kritikoi dhe Bankën e Shqipërisë, që nuk ka bërë ende një reagim. Biznesmeni Luca tha se paratë e tij janë dërguar në Austri, për t’u verifikuar nëse janë të ndershme ose jo.
Në të gjitha daljet e fundit publike kam insistuar te puna dhe e vërteta. Unë bëra një denoncim në një moment nervozizmi për të gjithë atë pengesë që më bëri ajo bankë dhe nuk kam dëshirë ti kthehem fjalëve të mia. Më rezulton se ai denoncim është shumë i ndjekur. Nuk dua t’i kthehem as analizave të analistëve që kanë bërë për qëndrimin tim. Duke parë një disnivel shumë të madh mes njerëzve që bëjnë analiza, që janë të gjithë me bordero dhe firmosin, duke i krahasuar me mundin tonë të prodhuesve që gjithë jetën kemi krijuar boredero për të ndryshuar ekonominë e njerëzve, kam qeshur dhe m’u duk pak naive që të përballem me ta e t’iu kthej përgjigje, sepse nuk jemi të formuar njësoj. Ajo që dua të theksoj, vec atyre që thashë, mua më shqetëson gjithmonë kjo sjellje në dy drejtime. Drejtimi i parë, është qëndrimi që po mban BSH, pas denoncimit tim. BSH ka një guvernator, problemi u bë kaq publik, por nuk shoh një reagim të BSH, dhe vazhdojmë edhe sot e kësaj dite që lekët e mia të mos vijnë tek unë. Problemi ka qenë shumë banal dhe mendoj se këto banka, që sillen kështu, nuk kanë ndryshim nga fajdexhinjtë. Banka është një nocion shumë herë më i gjerë, shumë herë më fisnik, pa banka nuk je i zoti të punosh, të shfaqësh ëndrrat e tua, dhe ky është një problem. Sic duket bankat harrojnë ligjin.
Kur unë i kërkova bankës të m’i transferonin lekët në thesar, ata më dhanë një diferencë prej 18 mijë eurosh, e kjo m’u duk si fajde. Mbase kjo bankë, mos njerëzit e vet i gjykon si njerëzit e mi që pastrojnë karkalecin? Tani unë nuk e kam më me bankën, sa e kam me guvernatorin, pasi pres një reagim. Dje më është thënë që lekët e mia kanë ikur për t’u konfirmuar në Austri, nëse janë apo jo të ndershme. Banka, pse nuk pyet doganat, tatimet, guvernatorin, po duhet të pyesë Austrinë për lekët e mia? Kur bëj ballafaqimin me një bankë tjetër, kam vënë një projekt në një bankë tjetër, një projekt shumë të madh për ekonominë e Shqipërisë, dhe drejtori shqiptar i kësaj banke merr letrat dhe projektin tim në dorë dhe niset drejt dy-tre shteteve për të më gjetur mua. Më merr non stop, më bën non stop video, me firma të ndryshme për ta zhvilluar këtë projekt.
Bankat janë shumë komode, i kanë rrogat e mira, janë ngrohtë, nuk kanë asnjë lloj stresi, por ne i kemi cuar një projekt. Ky projekt tregon se ata e kanë aprovuar në partnerët tanë dhe kjo është e turpshme. Sa më shumë krizë ka, bankat më shumë fitim kanë. Këto banka pse nuk mbajnë një grup juristësh, që t’i ndjekin kontratat, që të shkojnë t’i thyejnë dyert administratës së shtetit? Pra, kjo punë është nul. Mos më ngacmo se i kam thënë gjërat, më vjen dhe zor”, deklaroi Gjergj Luca.
Duke komentuar “Ballkanin e Hapur”, biznesmeni Luca u shpreh pro kësaj nisme, duke u shprehur se politikanët që e kanë ndërmarrë atë, janë politikanët më të mirë të 100 viteve të fundit dhe që e duan vendin. Ai iu bëri thirrje njerëzve të të gjitha vendeve të rajonit, duke iu thënë të ngrihen pro kësaj nisme e të gërthasin për “Ballkanin e Hapur”, pasi sipas tij, “Të gjithë njerëzit ekonomia i bashkon, ekonomia sjell dashuri, mbyll plagët, sjell konsolidim”.
“Njerëzit mes demagogjisë dhe ekonomisë, kanë zgjedhur ekonominë. Ne kemi pasur rreth 50 vjet burg, kemi jetuar në burg, të gjithë hanim 4-5 herë në javë grosh e të dielën merrnim ndonjë krah pule. Kosova përballë nesh nuk e ka pasur flamurin, pra nuk e ka pasur demagogjinë, por ka pasur ekonominë. Në Kosovë njerëzit kanë shkuar e janë specializuar në mes Zagrebit, në mes të Ljubjanës dhe kanë lëvizur në të gjithë Evropën pa vizë. Pra, Kosova donte flamurin dhe sot ka probleme me ekonominë, ndërsa ne ishim në burg, por kishim flamurin. Kosova mendoj se e ka fituar luftën për flamurin, por tani njerëzit duan të shohin ekonominë. Ekonomia është heqja e barrierave. Ekonomia është që ne që prodhojmë t’i hipim makinës e të shesim në Ballkan. Ngërçi i bujqësisë sot është te tregu.
Si mendojnë këta njerëz se i korrigjojnë plagët e hapura prej luftës? Mendojnë se i korrigjojnë duke i lënë njerëzit dhe shtetet nëpër llogoret e veta, apo mendojnë se duke hapur kufijtë, duke punuar njerëzit me njëri-tjetrin? Nuk mund të bëhet ndryshe. Për mua, këta njerëz që kanë marrë iniciativën e Ballkanit të Hapur janë politikanët më të mirë të 100 viteve të fundit, që kanë menduar për këtë vend. Të gjithë njerëzit ekonomia i bashkon, ekonomia sjell dashuri, mbyll plagët. Duhet të çohen gjithë këto vende peshë, për të hequr kufijtë e për të shëruar këto plagë përmes ekonomisë, për të qenë më të konsoliduar. Këta që gërthasin kundër Ballkanit të Hapur janë demagogë”, tha biznesmeni.
Në fund, biznesmeni zbuloi se ka ndihmuar dhe strehuar në biznesin e tij në Elbasan një familje nga Ukraina. Luca u shpreh se një mik i tij në luftë i kishte kërkuar të ndihmonte familjen e tij dhe ai kishte dërguar në kufi me Moldavinë dy makina, duke marrë prindërit, nusen dhe tre fëmijët e tij.
“Një miku im është në luftë. Më kërkoi që t’i ndihmoja familjen e vet. Cova dy makina në kufi me Moldavinë, dhe morën dy prindërit, nusen dhe tre fëmijët e tij. I morëm dhe i kemi strehuar te biznesi në Elbasan. Kam dhe një falënderim për ministren e Jashtme, sepse patën probleme në kufij, pasi në Bullgari e Rumani i kanë pritur me karamele, në Maqedoninë e Veriut patën probleme, pasi ishin nisur vetëm me certifikata si në luftë, por më vuri gjithë predispozicionin e vet, ka bërë mbi 20-30 telefonata, që të mos i vononin nëpër kufij”, përfundoi ai.