Që prej ditës së djeshme nëpër rrjetet sociale po qarkullon një listë në të cilën pasqyrohen pagat e 630 mijë Shqiptarëve të cilët punojnë si në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror. Përgjatë këtyre 24 orëve shqiptarët kanë arritur të shohin se sipas kësaj liste më i paguari në Shqipëri është një punonjës i SHIK, i cili sipas listës paguhet mbi 58 milionë lekë të reja në muaj dhe pas tij vjen Ben Blushi me një pagë mujore mbi 24 milionë lekë të reja në muaj.
Gazetari dhe ish-drejtori i Top Channel ka reaguar vetë për këtë lajm, duke mohuar të ketë rrogën që tregohet në databazë. “Nga publikimet e paautorizuara te disa portaleve sot kam mesuar se kam nje rroge qe nuk e kam. Ne respekt te bashkepuntoreve te mi, ne kompanine ku kam punuar deri perpara tre javesh, dua te them se, rroga ime eshte 24 here me e vogel se ajo qe pretendohet se eshte.”
Gjithashtu në këtë listë janë publikuar edhe pagat e personave qe jetojnë e punojnë në qarkun e Elbasanit. Databaze pasqyron se në këtë qark vendin e parë si më i paguari e zë një punonjës i SHIK, i cili pagën mujore e ka mbi 6.5 milionë lekë të reja në muaj, transmeton elbasaniplus. Vendin e dytë e zë një llogaritar në ndërmarrje private me page muajore mbi 1.1 milionë lekë të reja në muaj.
Vendin e tretë e zë drejtori i marketingut i po të njejtës ndërmarrje me pagë 1 milionë lekë të reja në muaj. Vendin e katert e ze administratori i një kompanie private e cila fushe veprimtarie ka Energji edhe gaz, ai paguhet mbi 800 mijë lekë të reja në muaj. Dhe vendin e pestë e zë një shtetas turk me detyrë këshilltar ekonomik pranë kompanisë Kurum, i cili paguhet me mbi 800 mijë lekë në muaj.