Nevojat e fëmijëve me aftësi ndryshe kanë qenë sot kryefjalë në bashkëbisedimin që Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zhvilluar me mësues të arsimit special. Kushi nënvizon se gjithëpërfshirja dhe arsimi cilësor për fëmijët me aftësi ndryshe vijon të jetë prioritet në politikat tona arsimore.
“Në këtë kuadër, bashkëbisedimi që zhvillova me mësues të arsimit special ishte një mundësi e mirë për të njohur nga afër nevojat që kanë në raport me fëmijët me aftësi ndryshe dhe prindërit e tyre, si dhe njëkohësisht të merrja sugjerime të vlefshme për Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026 që lidhen direkt me zhvillimin profesional të tyre dhe nevojat e gjithëpërfshirjes”, – shprehet Ministrja Kushi.
Kushi cilëson edhe rëndësinë e veçantë që ka roli i mësuesve të arsimit special:
“Roli i mësuesve të arsimit special është më tepër se një profesion, është një mision! Prandaj, nga viti në vit kemi rritur ndjeshëm numrin e tyre në shkollat tona, një tregues domethënës ky që dëshmon seriozitetin për trajtimin e nevojave të fëmijëve me aftësi ndryshe dhe integrimin e tyre në shoqëri”.