Vijon procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje, një nismë e rëndësishme e Bashkisë Elbasan, ku qytetarët janë pjesë aktive e vendimmarrjes për investimet në komunitetet e tyre. Takimi i radhës u zhvillua në Rajonin Nr. 3, me një pjesëmarrje të gjerë të banorëve të zonës, të cilët shprehën interesin dhe angazhimin e tyre për projektet dhe investimet që pritet të realizohen në të ardhmen.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi angazhimin e komunitetit, duke theksuar se prania e qytetarëve tregon besimin dhe bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite përmes këtij procesi.
“Prania juaj sot tregon se procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka fituar besimin e komunitetit dhe është një mekanizëm i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. Sot flasim për buxhetin dhe paketën fiskale, sepse të dyja janë të lidhura, nuk mund të kemi investime pa të ardhura”, u shpreh Llatja.
Ai solli në vëmendje një sërë investimesh të realizuara në Rajonin Nr. 3, si rikonstruksioni i shkollës ku u zhvillua takimi, përmirësimi i shesheve të pallateve, ndërhyrjet në rrugët “Mefail Biçaku”, “Iljaz Kosova” dhe “Ahmet Gashi”, si edhe punimet në zonën e Fushë Mbretit dhe në NSHU. Po ashtu janë realizuar investime në kanalizimet e ujërave të zeza pranë fabrikës së sfungjerit dhe pallatet me system kapot, si rezultat i kërkesave të banorëve të kësaj zone.
Llatja theksoi gjithashtu përparimin në infrastrukturën arsimore, ku janë rikonstruktuar disa shkolla të rëndësishme, përfshirë “Kostandin Kristoforidhi”, “Jorgji Dilo” dhe shkollat industrial, kërkesa që kanë dalë nga buxhetimi me pjesëmarrje, ndërsa gjimnazi “Dhaskal Todri” pritet të nisë rikonstruksionin së shpejti.
Kryetari Llatja foli gjithashtu për zhvillimin e qytetit dhe turizmit, duke theksuar rëndësinë e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit si një qendër historike dhe kulturore që po merr vëmendje të veçantë në projektet e reja të Bashkisë. Ai shtoi se paralelisht me këto ndërhyrje, po punohet për zhvillimin ekonomik të qytetit përmes projekteve të mëdha si masterplani për Kombinatin Metalurgjik, si edhe transformimi i ish Kombinatit të Drurit në një zonë të lirë teknologjike dhe industriale, një projekt që po ecën me sukses në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
“Kemi bërë shumë punë të mira dhe do të vazhdojmë të investojmë njësoj si në Rajonin Nr. 3, ashtu edhe në të gjithë qytetin e Elbasanit,” u shpreh më tej Kryetari Llatja, duke theksuar angazhimin për të çuar përpara projektet që përmirësojnë jetesën e qytetarëve.
Në përfundim të takimit, qytetarët e Rajonit Nr. 3 votuan prioritetet kryesore, të cilat do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026, duke garantuar që zëri i komunitetit të jetë në qendër të planifikimit dhe investimeve të ardhshme të Bashkisë Elbasan.