Buxhetimi me pjesëmarrje/ Llatja: Investime të reja për sportin dhe të rinjtë e Elbasanit

Buxhetimi me pjesëmarrje ka sjellë edhe këtë vit një fokus të veçantë mbi sportin, ku kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilloi një takim të gjatë me trajnerë, sportistë dhe përfaqësues të 15 klubeve të qytetit. Në prani të sportistëve dhe trajnerëve, Llatja foli për arritjet e këtij viti dhe për nevojën për përmirësim të vazhdueshëm në çdo aspekt të aktivitetit sportiv.

Ai theksoi se kërkesat e trajnerëve dhe sportistëve janë mirëpritur, por puna vazhdon dhe sfidat nuk kanë përfunduar. Strategjia e klubeve, sipas tij, është e qartë, status i OJF-ve, masiviteti sportiv dhe krijimi i ekipeve zinxhir që garantojnë pjesëmarrje dhe zhvillim të të rinjve.

“Janë realizuar shumë aktivitete brenda 15 klubeve, ku janë arritur rezultate pozitive dhe janë shpallur kampione në disa disiplina,” tha ai. Ai shtoi se kushtet për sportistët janë përmirësuar ndjeshëm, duke përfshirë buxhetin për trajtime ushqimore, bazë materiale dhe nevoja të tjera, ndërkohë që përparime janë bërë edhe në anën shëndetësore.

Objektivat për këtë vit, sipas kryebashkiakut, përfshijnë realizimin e aktiviteteve lokale, përgatitjen për aktivitetet ndërkombëtare në volejboll, ping-pong, boks dhe karate, si dhe organizimin e edicionit të katërt të “Dekorimit të Figurave”, një aktivitet që promovon talentet e rinj.

Llatja theksoi se “ bashkia ka bërë punë të mira për sportet, por nevojat janë gjithmonë të mëdha”.

Ai falenderoi trajnerët për kontributin dhe angazhimin e tyre dhe theksoi se mbështetja për sportin nuk do të mungojë kurrë.

Ndwrsa u ndal tek investimet ai e vuri thkesin tek investimet e fundit  tw cilat kanë përfshirë shtimin e palestrave dhe terreneve sportive në shkollat “Kostandin Kristoforidhi”, “Onufri”, “Jorgji Dilo”, rikonstruksione të palestrave ekzistuese dhe terreneve në shkollat “Luigj Gurakuqi”, ndërsa do të ndërtohet një terren i ri sportiv në lagjen Partizani. Po ashtu, investime po kryhen në terrenet e “Dhaskal Todri”, “Naim Frashëri” dhe do të krijohet një ambient i mbyllur sportiv për shkollën “Qamil Guranjaku”.

Kryebashkiaku foli edhe për kërkesat konkrete të klubeve.

“Në basketboll, pjesa më e madhe e kërkesave lidhet me financimin e dëmtimeve të lojtarëve dhe sigurinë e sportistëve të huaj, përfshirë nevojat për fjetje dhe ushqim. Në atletikë, ekipi po stërvitet në stadium pas një periudhe njëvjeçare dhe gjysmë, por ka vështirësi për sportistët që merren me shtizë dhe për stërvitjen në palestër një herë në javë.

 Në ping-pong, sfida kryesore mbetet punësimi i trajnerëve dhe mbulimi i ekipeve për transport, pasi janë shumë ekipe dhe nuk mbulohen lehtësisht. Për sportistët elitë dhe të kombëtares, do të ketë një vlerësim të veçantë financiar për të siguruar kushtet optimale” nënvizoi Llatja.

Në fund, kryebashkiaku  theksoi se sportet do të mbështeten gjithmonë, por ato duhet të japin rezultat.

“Nuk do të mbajmë më sporte nëse nuk ka rezultate dhe nëse nuk plotësohen pritshmëritë. Modeli që kemi krijuar me organizatat OJF do të mundësojë edhe financim nga bizneset, përmes ligjit të sponsorizimeve që pritet të miratohet. Mbështetja nuk do të mungojë, por sportet duhet të sjellin rezultat,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu bëri të ditur se për shumë disiplina po ndërtohen terrene sportive të reja në një investim prej 1.7 milionë eurosh, në një sipërfaqe prej 22 mijë metrash katrorë, në kuadër të projektit “Parku Dua të Luaj”.

Takimi tregoi qartë se puna e klubeve dhe e bashkisë ka sjellë rezultate të prekshme, por sfidat dhe kërkesat për përmirësime do të mbeten pjesë e strategjisë për vitet e ardhshme, duke u siguruar që sportistët e rinj të kenë hapësira, infrastrukturë dhe mbështetje për të zhvilluar talentin e tyre.