Blendi Himçi: Thirrje për Mobilizim Masiv në Protestën e 7 Tetorit

Kryetari i Partisë Demokratike Elbasan, Blendi Himçi, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me strukturat drejtuese të degës PD Elbasan, ku është diskutuar gjerësisht situata politike në vend dhe organizimi i protestës së 7 tetorit. Në këtë mbledhje, Himçi ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes masive në protestën që do të mbahet kundër regjimit të kryeministrit Edi Rama.

“7 tetori do të jetë dita e triumfit dhe fitores mbi narkoshtetin. Ju ftoj, qytetarë elbasanas, t’i bashkoheni kësaj proteste të madhe për të kundërshtuar çdo padrejtësi që përjetoni çdo ditë nga ky narkoregjim”, u shpreh Himçi.

Takimi i zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për protestën, u përqendrua edhe në mobilizimin e strukturave për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në këtë tubim të cilësuar si historik nga PD.

“Ky regjim nuk mund të na nënshtrojë më. Kjo protestë është një thirrje për ndryshim dhe fundin e padrejtësive”, përfundoi Himçi, duke bërë thirrje për bashkim kundër sistemit aktual.