Prokurori Altin Dumani është zgjedhur zv.drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Lajmi u njoftua nga prokuroria e Posaçme e cila tha se caktimi i Altin Dumanit në funksionin e Zv. Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme ka një afat dy vjeçar.
“Drejtuesi Prokurorisë Posaçme fillimisht mori mendimin e prokurorëve të cilët në mënyrë unanime propozuan që si zv. Drejtues të rizgjidhej prokurori Altin Dumani. Në vijim Drejtuesi i Prokurorisë Posaçme vendosi caktimin e zotit Altin Dumani në funksionin e Zv. Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për një afat dy vjeçar” thuhet në njoftimin e SPAK.
Nga Gërdeci, te rrëfimi i Altin Dumanit
Dumani është një nga prokurorët që ka pasur në dorë gjykimin e 29 të pandehurve të Gërdecit mes të cilëve kërkoi 3 dënime të përjetshme për tragjedinë e 15 marsit 2008.
Po ashtu, ai udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona, mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia.
Por së fundmi emri i tij është përmendur edhe në rrëfimin e vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani. Sipas mediave, ai ishte prokurori që bindi Nuredin Dumanin të rrëfehej për krimet e tij të shumta në bashkëpunim me një grup kriminal që vepronte në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Karriera
Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 23 vitesh si prokuror. Në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje.
Kur u pyet se pse vendosi që të jetë pjesë e SPAK para dy vitesh, Dumani u përgjigj duke thënë se ka lënë mënjënanë komoditetin e prokurorisë së apelit dhe do t’i përkushtohet luftës ndaj krimit. “Lufta ndaj krimit është më prioritare se komoditeti zyrës” tha ai.
Gjatë vetingut, Dumani mori edhe përgëzimet e të dërguarit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ditën që doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs.
Më herët ai kishte aplikuar për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gjatë intervistimit, ai u shpreh “Prokuroria e Posaçme do të bëjë të mundur që në Shqipëri ku cilido që kryen një krim ndëshkohet pavarësisht pozicionit që mban të ndëshkohet”.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.