Nga Fatmir Popja
Fillimi i pranverës së këtij viti ka sjellë surpriza të shumta përsa i përket fluksit në rritje të turistëve të huaj që po zgjedhin Belshin si destinacionin e tyre turistik të preferuar. Edhe këtë fundjavë qendra e qytetit dhe destinacione të ndryshme turistike të Belshit u vizituan nga grupe turistësh nga Italia, Spanja dhe Afrika. Ky interes i shtuar është një tregues i qartë se Belshi po bëhet gjithnjë e më shumë një pikë atraktive për turistët nga e gjithë Bota duke ofruar një kombinim
të veçantë të bukurive natyrore, liqeneve të shumta karstike, kulinarisë dhe traditave që magjepsin çdo vizitor.

Në vitet e fundit, bashkia e Belshit ka bërë hapa të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit duke shfrytëzuar pasuritë natyrore dhe kulturore që ofron kjo zonë. Disa prej ndërhyrjeve më të dukshme që kanë ndikuar në zhvillimin e turizmit në këtë zonë ka qenë përmirësimi i infrastrukturës si ndërtimi dhe rikonstruksioni i të gjitja rrugëve që lidhen me atraksionet turistike.

Ndërkohë në këtë zonë vitet e fundit ka patur investime në hoteleri dhe restorante të cilat ofrojnë mundësi për vizitorët që të shijojnë bukuritë e natyrës dhe kulturës lokale.
Një tjetër element i rëndësishëm ka qenë promovimi i turizmit ekologjik dhe agroturizmit ku fermerët dhe komunitetet lokale ofrojnë shërbime që mundësojnë një përvojë autentike për turistët. Aktivitetet si ecja në natyrë, ekskursione në zonat me bukuri fantastike dhe vizitat në site historike dhe arkeologjike janë bërë gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët që kërkojnë një mundësi për t’u larguar nga jeta e përditshme dhe për të shijuar jetën e qetë rurale pranë liqeneve karstike të panumërta të zonës së Dumresë.
Për më tepër, bashkia e Belshit ka investuar së tepërmi edhe në organizimin e ngjarjeve kulturore dhe festivaleve që ndihmojnë në tërheqjen e turistëve duke u ofruar mundësi për të përjetuar traditat, muzikën , këngët, vallet por edhe ushqimet bio dhe gatimet tradicionale të zonës së Belshit. Ky zhvillim i pazakontë ka krijuar edhe mundësi të reja punësimi si edhe ka kontribuar në fuqizimin e ekonomisë lokale duke bërë që Belshi të shndërrohet në një destinacion të preferuar për turistët si nga Shqipëria ashtu edhe nga vende të tjera.
Eventi “Dumrea Summer Day Fest ” i ditëve të fundit solli jo vetëm për qytetarët e Belshit por edhe për të gjithë vizitorët një kombinim perfekt të aktiviteteve të paharrueshme me muzikë dhe këngë nga artistët më të dashur për publikun por edhe kamping, piknik , lojëra dhe shumë eksperienca që e bënë javën që lamë pas të paharrueshme dhe mjaft të bukur për të gjithë .Gjatë koncerteve të organizuara në Belsh këtë javë performuan artistët Alban Skënderaj, Anxhela Peristeri,Eranda Libohova, Fifi dhe Bruno & Klajdi.
Në të gjitha destinacionet turistike të Belshit u zhvilluan aktivitete të shumta për të gjitha grupmoshat si lojëra për fëmijë, gjueti thesari, punime artizanale,pikturë në natyrë,paintball,crossfit,boyscouting,artchery e shumë aktivitete të tjera.
“Dumrea Summer Day Fest ” ishte një risi që do të kthehet në traditë e cila ka si qëllim kryesor që të promovojë destinacionet e shumta turistike të kësaj zone ku zhvillimi i industrisë së turizmit po ngjitet në nivele mjaft cilësore .
Mrekullitë e shumta natyrore sikurse janë liqenet karstike dhe shtimi i bizneseve të reja të cilat ofrojnë shërbime me klas po joshin turistët që i frekuentojnë ato duke ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të turistëve që frekuentojnë destinacionet turistike të Belshit i cili tashmë është prioritet i të gjitha guidave turistike vendase e të huaja.Këtë muaj Belshi dhe natyra e tij e mrekullueshme me liqenet e shumta karstike rezultuan se ishin përzgjedhur si destinacioni perfekt nga qindra e mijëra vizitorë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të huaj.
Fluksi i turistëve vendas dhe i atyre të huaj në tri javët e para të muajit Mars 2025 sipas autoriteteve lokale ka shënuar shifra rekord dhe java që po mbyllet do mbetet historike në këtë aspekt.