Florjan Binaj dhe partnerja e tij, Sadina mirëpritën pak ditë më parë fëmijën e tyre të tretë. Ishte aktori i humorit që ndau lajmin surprizë për ndjekësit e tij, duke zbuluar se ishin bërë me një vajzë. Ai tregoi se e kanë quajtur Vjosa dhe mesa duket është frymëzuar nga lumi shqiptar, për të cilin ka qenë një zë i fuqishëm për ta bërë një Park Kombëtar.
“Vjosa lumturoi pa fund sot mamin, babin dhe familjen Binaj! Jetë të gjatë e vogla jonë!”, shkroi aktori. Urimet nga miqtë dhe fansat e tij ishin të shumta, duke i uruar pjesëtares së re të familjes jetë të gjatë. Aktori i famshëm i humorit, i njohur si “sozia” e kryeministrit Rama, ka dhe dy fëmijë me Sadinën, të quajtur Krena dhe Glauk.
Dy dekada dashuri
Flori dhe Sadina kanë një histori të gjatë dashurie. Ata janë njohur para 18 vitesh teksa studionin në Liceun Artistik. Ai ishte në vit të fundit, kur rastësisht në korridoret e shkollës pa vajzën bukuroshe të vitit të parë e cila i rrëmbeu zemrën menjëherë. Sadina gjithashtu ka treguar se ka pasur të njëjtën tërheqje dhe click në momentin e parë që e ka parë.
“Doja një gjë ndryshe nga lidhjet që kisha pasur më parë dhe kur pashë Sadinën, thashë kjo është. E kisha parë në korridore dhe dallonte. Mendova se ishte e huaj me tiparet nordike dhe pastaj doli që ishte shqiptare dhe madje e kisha në një lagje”, ka treguar Flori. Në një intervistë që dha kohë më parë, ai tregoi se gjithmonë e mendonte si gruan e tij.
“Nisi si çdo histori dashurie. U pëlqyem që në shikimin e parë, madje unë mendoja se na kishin sjellë të dyve në atë shkollë pikërisht për këtë qëllim, që ne të ishim bashkë. Ndodh që krijon në kokë një stereotip të personit që do të kalosh jetën dhe ‘fap’, të del përpara. Besoj ishim të dy me fat që gjetëm njëri tjetrin”, u shpreh aktori më parë.
Si erdhi propozimi?
“Momenti i propozimit ka ndodhur në kinema, ka qenë data 7 Prill 2004. Tashmë kemi dy fëmijë, të cilët na e mbushin shtëpinë plot lumturi. Unë përpiqem të qëndroj sa më pranë tyre. Gjëja e parë që kam thënë për gocën, pasi u bë 3-4 muajshe ishte: “Ku ke qenë më parë”, tha aktori i humorit. Pasi dy fëmijëve, ata gjithashtu patën shprehur dëshirën për t’iu bërë sërish prindër.
Në një intervistë për Rudinën, Flori shprehu dëshirën për t’u bërë me binjakë sa më shpejt të jetë e mundur. Ardhja në jetë e Vjosës e gëzoi sërish çiftin e njohur. Tani ata kanë mirëpritur dhe gëzimin e tyre të tretë. Vjosa quhet vogëlushja që erdhi në jetë pak ditë më parë. Si duket emri i saj lidhet me lumin shqiptar. Flori ka qenë një mbështetës i madh kohëve të fundit për ta mbrojtur lumin dhe për ta kthyer në një Park Kombëtar./abcnews.al