Autostrada Elbasan-Lekaj, gati nisja e punimeve. Ja sa do të zgjasin

Gati nisja e punimeve për 6 lotet e aksit rrugor Elbasan- Lekaj, që është segment i autostradës Elbasan-Rrogozhinë, pjesë e korridorit të 8 pan europian i cili na lidh me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratat me kompanitë fituese që do të realizojnë punimet në 6 lotët e këtij aksi. Aksi rrugor Elbasan-Lekaj përshkon ultësirën e luginës së Lumit të Shkumbinit nga qyteti i Elbasanit deri në afërsi të grykëderdhjes së tij.

Ndërtimi i autostradës  Elbasan-Lekaj do të kushtojë 15 miliardë Lekë, ose thënë ndryshe 148 milionë Euro, përfshirë TVSH-në. Pas nënshkrimit të kontratave, pritet të fillojnë punimet, të cilat do të zgjasin 24 muaj dhe pritet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2026.

Ky segment është pjesë e Korridorit 8, një projekt strategjik për infrastrukturën e Shqipërisë, dhe ka një gjatësi totale prej 40.7 km. Segmenti rrugor fillon nga fshati Bardashesh i Elbasanit, në qytezën e Peqin dhe përfundon në Rrogozhinë.

Më saktësisht gjurma e autostradë do të kalojë përmes rajoneve të Elbasanit (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), më pas në Peqinit në fshtrat (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karinë)  si dhe në rajonin e Kavajës (Sinaballaj, Rrogozhinë). Shpejtësia maksimale e lejuar do të variojë nga 90 deri në 140 km/orë.

Korridori 8 është një nga ndërtimet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, ndërsa aktualisht po realizohen punime edhe në 8 lote të tjera të Korridorit 8, nga Elbasani drejt Qafë Thanës, ku dhe punimet janë më të avancuara. 

Ndërkohë, për vitin 2025, ky projekt do të marrë një pjesë të konsiderueshme të fondeve për infrastrukturën rrugore, me rreth 8.8 miliardë Lekë të planifikuara për financimin e tij.

Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë. Ky korridor, dhe aksi Elbasan-Lekaj lidhet edhe me korridorin blu, pjesë e të cilit janë akset, Milot Thumanë, Thumanë- Kashar, dhe lidhja do bëhet me aksin Kashar-Pezë-Lekaj.

Në fund të muajit Dhejtor, qeveria miratoi dhe kontratën konçesionare për këtë aks, me një kohëzgjatje 35 vjet dhe dhe kalimi i mjeteve do të jetë me pagesë. Kashar-Pezë-Lekaj ka gjatësi 26.6 kilometra ka kosto rreth 475,8 milionë Euro.

Klan News