Analiza e golave, Elbasani anon nga e djathta dhe “vret” brenda zonës

Ivan Gvozdenoviç nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion për t’u njohur mirë me skuadrën, sepse sapo veshi “tutat verdheblu” drejtoi skuadrën në tri ndeshje të rëndësishme, ku mori katër pikë.

Mirëpo, me pushimet e fundvitit ka pasur mundësinë të mësojë me detaje për secilin lojtar që po stërvit dhe normalisht pritet të ketë një ide më të qartë rreth skuadrës që do të hedhë në fushën e lojës dhe mënyrën sesi do të luajë.

Nga ana tjetër, “Panorama Sport” i ka bërë një skaner ecurisë së elbasanasve gjysmës së parë të kampionatit, që lidhet me golat. Gazeta është përpjekur të japë një ide sa më të qartë dhe të hollësishme mënyrës sesi verdheblutë i shënojnë dhe pësojnë golat, duke nxjerrë në pah pikat e forta dhe ato që duhet të përmirësojë në vazhdimësi. Së pari, duket se verdheblutë e përligjin si duhet pozicionin që mbajnë në klasifikim, ku janë në mesin e tabelës dhe këtë e tregojnë më së miri golat, ku kanë shënuar dhe pësuar 21 të tillë. Jo vetëm kaq, por edhe mënyra sesi i shënojnë apo pësojnë, ka shumë ngjashmëri me njëratjetrën në këto 19-të javë të luajtura deri më tani në Kategorinë Superiore.

GOLAT E SHËNUAR – Për t’u ndalur tek golat e shënuar, nga 21 të tilla duket se verdheblutë shënojnë me të gjitha pjesët e trupit. Më konkretisht, dhjetë rrjeta kanë ardhur me këmbën e djathtë, pesë me të majtën dhe gjashtë golat e tjerë janë shënuar me kokë. Sa i përket distancës së tyre, bie në sy një dominim i frikshëm i golave të shënuar brenda zonës së portierit kundërshtar, pasi janë realizuar 18-të të tillë, përkundrejt tre rrjetave që janë bërë nga distanca. Mesa duket, verdheblutë nuk besojnë shumë te gjuajtjet jashtë zone, ndaj edhe diferenca është kaq e madhe. Sakaq, 14-të rrjeta elbasanasit i kanë gjetur pas aksioneve të rrjedhshme dhe vetëm shtatë prej tyre kanë ardhur si shkak i goditjeve të ndaluara, që në fund të aksionit janë finalizuar me gol. Në një nga këto goditje të ndaluara kanë realizuar me penallti, pikërisht me golin e Ardit Hilës përballë Tiranës në barazimin 1-1 në Elbasan.

GOLAT E PËSUAR – Interesante janë edhe golat që kanë pësuar elbasanasit deri më tani, ku vihet re një dominim i rrjetave me të djathtën nga ana e kundërshtarëve të tyre. Bëhet fjalë për 16-të të tilla, përkundrejt një me të majtën dhe katër të tjera me kokë. Ndërkohë, ashtu siç pritej normalisht pësojnë më shumë në zonë e portierit të tyre sesa nga distanca, me bilancin 16-5. Praktikisht duket e njëjtë edhe mënyra sesi i pësojnë, me 15-të të tilla që kanë ardhur si pasojë e një aksioni dhe gjashtë të tjera si shkak i goditjeve të ndaluara që kanë pasur në favor kundërshtarët. Ndër to, është edhe një penallti në disfavor që është shndërruar në gol nga Dejvi Bregu kur Dinamo fitonte në fund në “Elbasan Arena” me shifrat e ngushta 2-1.VGFDG

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL