Babai i 27-vjeçarit Aleksandër Sadikajt, i cili humbi jetën pak ditë më parë në një atentat pranë rrethrrotullimit të Teg-ut, ka rrëfyer disa detaje për jetën e të birit.
Fatmir Sadikaj rrëfeu sot në “News24” se i biri është rritur me lekë që në fëmijërinë e tij , pasi i ati i dërgonte para nga Anglia.
Sa i përket dënimit të 27-vjeçarit për vjedhje, Sadikaj pranoi ngjarjen, duke thënë se e ka mbyllur vetë atë çështje me lekë.
“Aktiviteti i Aleksandrit, ndoshta e kam fut dhe unë me duart e mia, pasi ai ka krejt rrjedhën e punës sime. Ai ka lindur e rritur me lekë. Jeta e tij ka qenë në emigrim, e kam marr unë në krah 1 vjeç dhe e kam çuar në Greqi. Pastaj, unë kam ikur në Angli, ku i kam dërguar lekë familjes së Aleksandrit. Janë të gjitha me dokumente, është e kotë të hidhem e përdridhem unë. Janë të gjitha të dokumentuara, i ka gjykatësi në Berat. Kur jam ndarë, kam dalë vetëm me një xhaketë dhe isha i detyruar t’ua lija të gjitha fëmijëve. Unë jam divorcuar para tetë vitesh. Nuk mora asgjë, përveçse një xhaketë nga ajo shtëpi. I kishte të tëra djali im, i shtrenjti im që më iku, krahu im i djathtë”, u shpreh babai i të ndjerit.
Lidhur me akuzat për vjedhje ndaj Aleksandrit, babai i të ndjerit tha:
“E di atë gjë, e kam mbyllur unë. Në atë kohë më janë vardisur mua që të më marrin lekë, se kisha ardhur nga Anglia. Le të ballafaqohen me mua. Ata e kanë mbyllur atë çështje, po me lekë. I ka thënë një shokut të tij t’i hedhë një thikë, shoku i tij ja ka hedhur dhe ka prerë një kabull. Aleksandri nuk kishte fare nevojë për lekë. Aleksandri është dënuar, e kam mbyllur unë me lekë. Nuk di që të ketë akuza të tjera ndaj Aleksandrit. Nuk kemi rrjedhur nga këto familje, jemi familje që jetojmë me djersën tonë në majë të malit”, u shpreh Fatmir Sadikaj.