Jehon Breçani, djali i ish-zyrtarit të Policisë, Shkëlzen Breçani që tre javë më parë aksidentoi një këmbësore në Tiranë dhe bëri që të humbiste njërën këmbë, është liruar nga qelia. Lajmi është bërë me dije nga dy gazetarët, Xhensila Kodra dhe Artan Hoxha.
Të dy të ftuar në emisionin ‘Log”, thanë se ky vendim është marrë pasi vetë 19-vjeçari Breçani ka pësuar dëme të mëdha fizike nga aksidenti i ndodhur. Masa është marrë ditën e premte, dhe nuk është bërë publike.
“Ditën e premte ka lënë ambientet e spitalit dhe ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”,”- deklaroi Kodra. “Ka pësuar dëmtime vetë gjatë aksidentit në mushkëri. Ka qenë e nevojshme ndërhyrja mjekësore. Prandaj është ndryshuar masa e sigurisë sepse spitali i Burgut nuk i ka garantuar trajtim mjekësor. Familja Breçani ka sjellë njerëz nga fisi i vet nga Tropoja për të dhënë gjak për 23-vjeçaren e aksidentuar,”- shtoi Hoxha.
19-vjeçari Jehon Breçani ishte duke udhëtuar në zonën e ish-Kinostudios me shpejtësi tej normave të lejuara e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke aksidentuar 24-vjeçaren Xhenisa Gega. Për fat të keq, e reja ka humbur një këmbë nga aksidenti i rëndë. Brecani fillimisht u përplas me një mur e më pas me një pemë që e ka thyer ku aty goditi edhe 24-vjeçaren e cila ndodhej në trotuar.