Adi Qose sjell lajmin e mirë për Elbasanin: Nisin procedurat për ndërtimin e …

Deputeti i Elbasanit Adi Qose ka ndarë një lajm të shumëpritur për qytetarët, duke konfirmuar se gjatë vitit 2026 do të nisë ndërtimi i një nyje të re rrugore në përfundim të autostradës Tiranë–Elbasan, projekt që pritet të zgjidhë përfundimisht problematikën e rënduar të trafikut në hyrje të qytetit.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare, Qose bëri të ditur se zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dhënë konfirmimin për këtë investim gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi Qose kishte ngritur publikisht shqetësimin për situatën e trafikut dhe kishte kërkuar nisjen e menjëhershme të punimeve për Bypass-in e Elbasanit, të cilin e kishte cilësuar si “një emergjencë për qytetin dhe rajonin”.

“I kam adresuar Ministrit të Financave domosdoshmërinë e nisjes sa më të shpejtë të punës për Bypass-in e Elbasanit. Ky projekt është jetik jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për ata të Peqinit, Cërrikut, Librazhdit, Belshit, Gramshit dhe Prrenjasit,” – theksoi Qose.

Me këtë angazhim të vazhdueshëm, Adi Qose po konfirmon profilin e tij si një nga zërat më aktivë në Kuvend për çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Elbasanit, duke ndjekur me këmbëngulje çdo projekt që lidhet me infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.