Mbushet plotë teatri/ Bashkia Elbasan i dorëzon titullin “Qytetar Nderi” Arbër Hajdarit me motivacionin…

Në tingujt e muzikës së bukur qytetare elbasanase, grupi i Qendrës Kulturore së Fëmijëve Elbasan, hapën siparin e një takimi shumë miqësor sa i takon dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i qytetit të Elbasanit, drejtorit Ekzekutiv të “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari. Midis shumë fjalimeve të mbajtura në këtë ceremoni, ajo që ra në sy ishte edhe mesazhi falenderues i dy ndër familjeve përfituese nga Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”.

Prof. Dr. Ethem Ruka, si një prej ish pedagogëve të Arbër Hajdarit, në fjalën e tij citoi se njerëz si ai i duhen këtij vendi. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja i ka dorëzuar Arbër Hajdarit titullin e dhënë nga Këshilli Bashkiak.

Ky vlerësim për drejtuesin e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdari, vjen për kontributin e çmuar në dobi të shtresave në nevojë, duke përçuar frymën e solidaritetit në shoqërinë shqiptare, duke ngritur ndërgjegjen kombëtare në një nivel më të lartë.

Në fjalën e tij, Arbër Hajdari rrëfeu gjithë rrugëtimin e marrjes së iniciativës për krijimin e “Fundjavë Ndryshe”, e deri më tani që merren frytet e marrjes së buzëqeshjes nga mijëra familje që janë ndihmuar me shtëpi, ndihma, ushqime e veshmbathje. Ky proces ka marrë formë në sajë të një grupi njerëzish që dhanë kontributin e tyre të pakursyer në kohë.

“Sot dua të ndaj me ju ato idetë e mia që kur kam nisur këtë aktivitet, dhe pse e kam nisur. Gjatë kohës që isha në fakultet, kam qenë një student i lëvizshëm, dhe gjatë gjithë kohës vrisja trurin se cila do të ishte puna ime e ardhshme, dhe cila do të ishte ajo punë që do të kishte një rëndësi të madhe.

Puna më e rëndësishme që mund të bëj një njeri, është t’i shërbej të tjerëve. Fillova të kuptoj se kjo botë nuk është vetëm për ata njerëz që mendojnë se gjeja më e shtrenjtë janë vilat, shtëpitë dhe gjëja më e shenjtë që kanë janë paratë.

Ndaj vendosa të nisja turin, të nisja këtë mision që mendoj se është hyjnor. Nuk e kisha menduar kurrë që “Fundjavë Ndryshe” do të merrte këto përmasa.

Do ta nis fjalimin tim me një shprehje të ish-drejtoreshës së Korpusit të Paqes, Kate Becker, në një ceremoni në tre vjetorin e “Fondacionit”, ku ajo vlerësoi një gur që unë hodha në ujë, dhe ai gur filloi të krijonte rrathët e tij. Rrethi i parë që krijoi ishte Elbasani. Më lejoni që të falenderoj një mik, një djalë shumë të veçantë, një djalë që bën atë që thotë dhe një djalë me zemër të madhe, ai quhet Orges Beti.

Sot këtu në sallë ka shumë njerëz, dhe i falenderoj përzemërsisht. Të dashur miq, dua t’ju them faleminderit që na keni lejuar dhe keni ndarë hallet tuaja me ne, se e di që nuk është e lehtë për të ndarë hallet.

Prandaj mendoj që Elbasani është një nga qytetet kryesor që tregoi se ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Se gjëja më e rëndësishme është njeriu. Ç’ka është më e rëndësishmne për të bërë në këtë botë është që ne të ndihmojmë njëri- tjetrin, dhe ne t’i bëhemi krahë njëri-tjetrit.

Dhe këtë Elbasani e tregoi mësë miri. Me lejoni të falenderoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Elbasanit që besuan tek ajo që unë doja të ndërtoja, dhe që sot është. E them këtë me bindje të plotë se jemi organizata më e madhe në Ballkan, ndër organizatat me infrastrukturën më të madhe në Ballkan. I nderuar kryetar, sot me këtë vlerësim nga Bashkia, dua që ky çmim të shkojë për të gjithë njerëzit që besuan tek ne, për të bërë projekte kaq të mëdha.

Por nga krahu tjetër, ndjej akoma më shumë përgjegjësi, e ndjej se Elbasani dhe zonat në periferi të Elbasanit, kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve ne. Po shikoja intervistat që kam dhënë në atë kohë, isha i ri atëherë. Elbasani kërkoi që këtë aktivitet ta përqafojë. Nëse ka një qytet apo një zonë që “Fundjavë Ndryshe” nuk ka arritur akoma, është për shkak se njerëzit nuk kanë dashur, që situata e njerëzve të tyre të ndryshojë. Ndaj Elbasani ka pasur një histori suksesi. Elbasani nuk ka dashur të pranojë një varfëri. Kanë dashur të mbështesin njëri-tjetrin, ne jemi që duhet të nisim një iniciativë. Këtu nuk bëhet për para, sepse bamirësia është edhe një buzëqeshje, ti gjendesh pranë dikujt. Shpresoj shumë që ky aktivitet të mos vdesë kurrë! Shpresoj që “Fundjava” të jetojë përjetësisht, sepse brenda saj është një tren i madh me shumë zemra, që u bashkuan për të ndryshuar një realitet të trishtë”, u shpreh Arbër Hajdari.

Në ceremoninë e organizuar në Teatrin “Skampa” ishin të pranishëm miq, kolegë, akademikë, ku nuk nguruan që të shprehnin vlerësime të shumta për punën e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” dhe drejtorit ekzekutiv të saj.