Nga Dr.Arben Ramkaj
Pandemia e koronavirusit Covid-19, ka konfirmuar në të gjithë aspektet dhe përmasat,
se zhvillimi i pashembullt ekonomiko-teknologjik i botës dekadat e fundit, bashkë me procesin e globalizimit, e kanë shndërruar tashmë botën në një “fshat global”.
Deri disa javë më parë, drama që po shpalosej në Ëuhan të Kinës, perceptohej nga shumëkush në anët e tjera të botës si e largët dhe ekzotike. Mediat dhe njerëzit në mediat sociale kishin nge të kritikonin besimin me tepri të një pjese të kinezëve tek mjekësia e tyre popullore, që i nxit të konsumojnë shpesh mishin e një morie kafshësh që në përgjithësi konsiderohen të pangrënshme nga njeriu.
Tani që koronavirusi ka pushtuar gjithë botën, miliarda njerëz janë mbyllur nëpër shtëpi me familjarët e tyre të ngushtë, duke u përballur me stres, një lloj ankthi ekzistencial, por edhe me padurimin se kur do të mbarojë e gjitha kjo.
Situata është pa asnjë diskutim e rëndë dhe e paprecedentë të paktën që nga pandemia e Gripit Spanjoll e viteve 1918-1920. Por siç na ka mësuar në shumë raste historia edhe kjo pandemi një ditë do të vihet nën kontroll dhe më pas do të largohet.
Edhe në K’uranin e Shenjtë thuhet se pas vuajtjes vjen lehtësimi. Dhe këto ditë teologë, shkrimtarë, filozofë, psikologë apo gazetarë në mbarë botën u kanë bërë thirrje të gjithë njerëzve që sot janë nën karantinë, të mos bien në panik, të shohin dritë në fund të tunelit dhe të reflektojnë thellë mbi veten, jetët e tyre, mbi raportet me të tjerët, botën dhe natyrën përreth nesh.
Pavarësisht se kjo pandemi do largohet një ditë, duke marrë për fat të keq jetën e dhjetëra mijëra njerëzve dhe duke lënduar shpirtërisht miliona të tjerë, ky lloj reflektimi besojnë ata, do të na bëjë njerëz më të mirë.
Por përtej ndryshimeve individuale edhe si shoqëri, Covid-19 parashikohet të sjellë ndryshime të mëdha në rendin sotëm botëror. Kjo emergjencë e rëndë shëndetësore, e shfaqur fillimisht në Kinë, ka bllokuar prej javësh ekonomitë e dhjetra vendeve, mes tyre 2 ekonomitë më të mëdha sot në botë, të SHBA-së dhe Kinës.
Deri në fillim të këtij viti, Uashingtoni e shihte veten të avantazhuar në luftën e ashpër tregtare që kishte nisur me Kinën gati 2 vjet më parë. Falë këtij presioni, SHBA kishte arritur ta ulte sërish Kinën në tryezën e bisedimeve, duke i marrë dakortësinë për një draft paraprak, mbi atë që do të ishte më vonë një “big deal”, një marrëveshje e madhe dhe e plotë tregtare midis 2 vendeve.
Dhe ecuria e mirë e ekonomisë amerikane ishte karta më e fortë elektorale që Donald Trump do të përdorte në fushatën presidenciale, për të fituar në nëntor një mandat të dytë. Koronavirusi ka ndryshuar gjithçka. Aktualisht, SHBA-ja është vendi i parë në botë me më shumë të prekur nga kjo sëmundje.
Presidenti amerikan ia doli të marrë konsensusin e demokratëve në Kongres për një plan financiar të shpëtimit të ekonomisë amerikane prej 2 mijë miliardë dollarësh, që parashikon ndihma monetare për bizneset dhe qytetarët.
Shuma është marramendëse dhe në fakt është plani më i madh i këtij lloji në histori. Por shumë ekonomistë në SHBA thonë se ai është i vonuar apo i pamjaftueshëm dhe se pandemia do të shkaktojë një recesion global aq të madh saqë efektet negative do të ndihen për disa vite me radhë tek të gjithë.
Pra pandemia e ka bërë tashmë më të vështirë fitoren e Trump. Veç “kartës” të ekonomisë, ai mund të kontestohet mbi luhatjet e tij në qëndrimet publike dhe shtrimin fillestar të një zgjedhje mes shpëtimit të ekonomisë, apo shpëtimit të jetës së mijëra amerikanëve.
Sigurisht, dëme të mëdha ekonomike ka pësuar edhe Kina që bllokoi thuajse gjithçka për 2 muaj. Por kinezët qeverisen nga një sistem i centralizuar që e lehtëson rifillimin e prodhimit. Mbi të gjitha, fakti që Kina thuajse e ka tejkaluar emergjencën nga koronavirusi i ka dhënë mundësi ta marketojë me zgjuarësi imazhin e një superfuqie ekonomike që di të përballet me sfida të mëdha, të shërbejë si një model për të tjerët, madje dhe të ndihmojë shtetet që kërkojnë ndihmë.
Gjatë kësaj pandemie shtetet kombëtare në Perëndim, sidomos SHBA dhe vendet e BE janë izoluar në vetvete, duke iu dhënë tërësisht egoizmit të tyre kombëtar. Politikanë, analistë por edhe qytetarë të thjeshtë në Itali, kanë ngritur këto ditë pikëpyetje të mëdha mbi dobinë e ekzistencës së Unionit, në kushtet kur nuk ka asnjë solidaritet minimal në këtë situatë të paprecedentë.
Disa politikanë konservatorë, si kreu i LEGA Mateo Salvini, kanë paralajmëruar se pasi të mbarojë kjo gjendje do kërkojnë referendum popullor për largimin e vendit nga BE. Kritika të ngjashme kanë ardhur nga vende të tjera anëtare si Austria, Polonia apo Hungaria, të cilave iu refuzua kërkesa që i bënë Gjermanisë për t’i ndihmuar me aparate e respiratore.
Në Ballkan, më i zëshëm deri tani në kritikat ndaj Brukselit ka qenë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç që e falendëroi Kinën që po i gjendet pranë në këto kohë të vështira. Kina është për momentin furnizuesja kryesore e Italisë me mjete spitalore. Të sikletosur nga këto akuza, Franca dhe Gjermania, 2 vendet lidere të BE kanë nisur të ndryshojnë qasje.
Emanuel Makron premtoi së fundmi se Italia nuk do të lihet vetëm, ndërsa Gjermania ka nisur të pranojë në spitalet e saj rastet më të rënda me koronavirus që kanë spitalet e mbingarkuara italiane. Por dëmi është bërë dhe ndoshta kjo lëvizje është e vonuar.
Mbase mund të jenë më shumë alarmistë se ç’duhet, por jo pak komentatorë thonë se sjellja e BE-së ndaj kësaj pandemie do të përcaktojë perspektivën apo rrezikun e shpërbërjes graduale të saj. Koronavirusi shihet gjithashtu si një gur prove që do të përcaktojë fatin e rivalitetit të madh ekonomik dhe gjeopolitik midis SHBA-së dhe Kinës.
Jo vetëm kaq, rënia e çmimit të aksioneve në bursat kryesore, por edhe e çmimit të naftës, mund të forcojë apo dobësojë fuqi të ndryshme rajonale. Kështu nga rënia e çmimit të naftës do të përfitojnë shtetet në zhvillim të cilat para pandemisë po hasnin vështirësi ekonomike.
Çmimi i ulët i naftës nuk është sigurisht një lajm i mirë për presidentin rus Vladimir Putin, në kushtet kur Rusia arkëton shumicën e të ardhurave në buxhet pikërisht nga eksportet e naftës dhe gazit natyror.
Një krizë ekonomike e brendshme do ta detyronte Kremlinin të reduktonte shpenzimet për aventurat e tij jashtë vendit. Kjo mund të sjellë tërheqjen graduale të rusëve nga Siria. Dhe në kushtet kur Presidenti Asad është ende larg rivënies nën kontroll të gjithë vendit, kjo lëvizje do të rihapte skenarë të rinj nga rikthimi i mundshëm i grupeve ekstremiste, deri tek ndarja përfundimtare e zonave të influencave në Siri.
Kina, ekonomia e të cilës varet shumë nga eksportet, parashikohet të jetë edhe më agresive në ekspansionin e saj ekonomik përmes nismës së Brezit dhe Rrugës në përgjithësi dhe platformës së bashkëpunimit 16+1 me vendet e Evropës Qëndrore dhe Juglindore, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria.
Tashmë pritet se çfarë do të bëjë SHBA-ja. A do të ruajë ajo qasjen aktuale “America First”, duke pare kryesisht punët e veta, apo nuk do të heqë dorë nga lidershipi global që ka pasur 75 vitet e fundit në rendin botëror të pas Luftës së Dytë Botërore?
Pandemia e koronavirusit po trazon me siguri shumë ujëra në gjeopolitikë. Rivaliteti i fortë SHBA-Kinë nxitet jo vetëm nga rezervat e amerikanëve ndaj pretendimeve që kinezët shkelin në jo pak raste të drejtën e autorit në shumë produkte që prodhojnë, por mbi të gjitha nga kriza e borxhit.
Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht një borxh disa herë më të madh se Kina dhe ky zhbalancim përbën një shqetësim të vazhdueshëm për Uashingtonin. Rivaliteti është po aq i ashpër në fushën e Inteligjencës Artificiale, ku të dyja vendet kanë hedhur hapa galopantë krahasuar me vendet e tjera.
Dhe dihet se kush do të dominojë këtë sektor, do të dominojë edhe tregjet në të ardhmen, pasi Inteligjenca Artificiale do të gjejë një përdorim gjithnjë e më të gjerë në jetën të gjithëve. Kjo përplasje merr tani dimensione të reja, në kontekstin e një krizë të rëndë globale që po shkakton pandemia.
Ndaj është mëse e pritshme që pasi të mbarojë e gjitha kjo emergjencë, të dyja fuqitë të ulen sërish në tryezën e bisedimeve përpara zgjedhjeve të nëntorit, këtë herë jo vetëm për të arritur një marrëveshje dypalëshe mbi tregtinë, por për t’u dakordësuar mbi riorganizimin e rendit aktual botëror që në të ardhmen mund të jetë bipolar ose shumëpolar.
Në fakt çdo 100 vite bota e njeh një zhvillim të tillë