Harmoni fetare në Elbasan/ Drejtuesit e besimeve urojnë Dom Dorian Mjeshtrin për Pashkët Katolike

Një tjetër shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është dhënë në Elbasan, ku drejtuesit e komuniteteve fetare të qytetit kanë uruar Dom Dorian Mjeshtrin, famullitarin e Kishës “Shën Piu”, me rastin e festës së Pashkëve Katolike.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme përcollën urimet e tyre më të përzemërta, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e Dom Dorianit në forcimin e dialogut ndërfetar dhe të bashkëjetesës në qytet.

Ata theksuan se Pashkët janë një festë me domethënie të veçantë, që përcjell mesazhe paqeje, shprese dhe ringjalljeje, duke i bërë thirrje të gjithë besimtarëve që të ruajnë dhe forcojnë këto vlera në përditshmëri.

Në përfundim, bordi drejtues i komuniteteve fetare uroi të gjithë shqiptarët për këtë festë, duke përcjellë mesazhe për shëndet, mbarësi dhe suksese.

Ky takim rikonfirmon edhe një herë frymën e respektit dhe bashkëpunimit që karakterizon komunitetet fetare në Elbasan.